Rajoni i East Anglia, i përzgjedhur nga Lonely Planet si një nga destinacionet më të mira për t’u vizituar në vitin 2025, ka fituar edhe një arsye tjetër për të tërhequr vizitorë. Norwich Castle Keep – i ndërtuar në shekullin e 12-të – është hapur sërish për publikun.
Më shumë se 900 artefakte normane, të huazuara nga Muzeu Britanik, janë ekspozuar për të krijuar galerinë e parë mesjetare jashtë kryeqytetit britanik. Ndërtesa historike, me mure 900-vjeçare të ndërtuara me gurë gëlqerorë të sjellë nga Normandia, ka qenë një simbol i fuqisë dhe prestigjit norman pas pushtimit të Anglisë, shkruan CNN.
Në Gadishullin e Bodrumit, në jugperëndim të Turqisë, ndodhet një tjetër mrekulli historike – Kështjella e Bodrumit. Kështjella e shekullit të 15-të, e ndërtuar nga Kalorësit e Shën Gjonit, u ngrit duke përdorur gurë nga Mauzoleumi i Halikarnasit, një nga Shtatë Mrekullitë e Botës së Lashtë.
Që nga vitet 1960, kështjella është shtëpia e një prej muzeve më të rrallë në botë të Arkeologjisë Nënujore, me ekspozita që mbulojnë mbi 3,000 vite histori detare dhe anije të mbytura antike.
Në vitet 1970, kompania Kodak dominonte tregun amerikan të fotografisë, duke kontrolluar 90% të filmave dhe 85% të kamerave. Edhe pse shpiku kamerën e parë digjitale në vitin 1975, kompania nuk arriti të përparonte me teknologjinë që vetë kishte krijuar. Këtë javë, kompania 133-vjeçare njoftoi se mund të mbyllë përfundimisht operacionet.
Pak orë para mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, SHBA bombardoi qytetin japonez të Kumagaya, duke lënë plagë që ende kujtohen edhe 80 vjet më vonë. Një i mbijetuar e përshkroi sulmin si “krejtësisht të pamenduar”.
Ndërkohë, në pyjet e Lituanisë ndodhet një bazë sekrete bërthamore e epokës së Luftës së Ftohtë, e cila vitin e kaluar u vizitua nga rreth 35,000 turistë. Atmosfera e saj e errët vazhdon të ngjallë ndjenja të frikshme, duke e bërë atë pjesë të fenomenit të diskutueshëm të “turizmit të zi”.
Debati mbi këtë lloj turizmi u ringjall së fundmi, pasi vendet e torturës së Khmerëve të Kuq në Kamboxhia u përfshinë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, 50 vjet pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist./AP/Katror.info