Vlera Salihu është 13-vjeçarja nga Kosova që ka korrur një sukses shumë të madh në sportin e karatesë. Ajo ka fituar 100 medalje, ndërkohë që ndjek dhe shkollën.
Vlera, madje, ka thyer dhe një rekord se në 7 vjet shkollë nuk ka bërë asnjë mungesë. Gjithashtu, është një ndër nxënëset me inteligjencën më të lartë në Kosovë.
Në një intervistë për Televizionin ABC, së bashku me trajnerin e saj, Vlera ka zbuluar gjithçka, duke u ndalur te dëshira e saj që një ditë të bëhet truproja e Presidentes së Kosovës.
“Unë jam Vlera Salihu dhe kam filluar kareten që kur kam qene 5 vjeç. Unë ushtroj karate për rreth 8 vjet. Unë kam 5 vite eksperiencë në gara, tani jam 13 vjeç dhe shpresoj të marrë më shumë shpërblime të tjera.
Unë kam qene gjithmonë një fëmijë me shumë energji dhe thash që pse jo mos të filloj dhe karaten. Në fillim kur kam qene e vogël kam pasur shumë vështirësi, por me djersë ia kam dal.
Unë gjej kohën dhe për të bërë dhe gjëra të tjera. Shpresoj që në të ardhmen të ndihmojë dhe fëmijët e tjerë që kanë si synim për karate”, tha ajo.
Ndërkaq, trajneri i saj, Irfan Sveçla, vë re tiparet e saj të veçanta si karateiste.
“Vlera ka dhe një synim të jetës, shpresojmë që t’i realizohet. Ka si synim që të jetë truproja e presidentes, por shpresojmë që t’i plotësohet kjo dëshirë”, shtoi trajneri.
E ndërsa Vlera ka treguar kaq shumë sukses në karate, ajo ndër të tjerash është nxënëse e shkëlqyer dhe e dalluar, pa shënuar as edhe një mungesë në shkollë.
Ajo është cilësuar edhe si një ndër nxënëset me intelegjencën më të lartë në Kosovë. Në Institutin ”ATOMI”, ajo është përgjigjur saktë dhe në kohë rekord në të gjitha pyetjet./abcnews.al/Katror.info
Përgatiti:
