Presidentja, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Në këtë takim, u diskutua për ngjarjet e fundit politike në vend, përfshirë zhvillimet në drejtim të konsolidimit institucional, si dhe për rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit dhe funksionalitetit demokratik.
“Presidentja Osmani dhe Ambasadori Rohde diskutuan edhe për formimin e qeverisë së re gjermane, me ç’rast Presidentja Osmani ka shprehur bindjen se përkushtimi i Gjermanisë ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor do të mbetet prioritet edhe në këtë kapitull të ri politik në Berlin,” thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në këtë takim u theksua edhe rëndësia e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Presidentja Osmani vlerësoi gjithashtu rolin e Gjermanisë si mbështetëse e fuqishme e perspektivës evropiane të Kosovës dhe e theksoi domosdoshmërinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në kuadër të institucioneve të BE-së.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe edicionit të sivjetmë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në Prishtinë, si dhe bashkëpunimit të rregullt drejt avancimit të kësaj agjende./Katror.info