Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jörn Rohde, të cilin e falënderoi për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë mandatit në Kosovë.
Në këtë rast, Presidentja Osmani ritheksoi se Gjermania mbetet partner strategjik i rëndësishëm i Kosovës dhe se partneriteti ndërmjet dy shteteve është në rritje të vazhdueshme. Ajo veçoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike, të mbështetura fuqishëm edhe nga mërgata kosovare në Gjermani, e cila përmes investimeve dhe angazhimit të saj shërben si një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve.
Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite, përfshirë përkrahjen në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe projektet e shumta zhvillimore në sektorë të ndryshëm.
Në përmbyllje të takimit, Presidentja Osmani i uroi ambasadorit Rohde suksese në angazhimet e tij të ardhshme./Katror.info.