Në Kosovë dhe Shqipëri, fenomeni i influencuesve në mediat sociale ka marrë hov të madh, duke ndryshuar mënyrën se si kompanitë reklamojnë dhe konsumatorët informohen. Një vajzë e re, me 135,000 ndjekës në Instagram, ilustron këtë realitet të ri. Ajo nuk është figurë publike apo profesioniste në media, por ka ndërtuar një audiencë të madhe përmes postimeve të përditshme dhe përmbajtjes që krijon.
Industria e influencuesve ka shndërruar mënyrën se si ne e perceptojmë dhe shpërndajmë informacionin dhe kulturën. Nga moda dhe kozmetika, deri te prindërimi dhe arsimi, influencuesit po ndihmojnë në formësimin e preferencave dhe zgjedhjeve të konsumatorëve në Kosovë e Shqipëri.
Kompanitë tashmë i drejtohen influencuesve për të reklamuar produktet e tyre, duke i kërkuar të dhëna mbi numrin e ndjekësve, trafikun dhe ndikimin e fushatave të mëparshme. Në vend, ky proces kalon shpesh nëpërmjet agjencive të specializuara në marketingun dixhital, të cilat ndërmjetësojnë komunikimin mes influencuesit dhe kompanive.
Tregu shqiptar ka parë rritje të ndjeshme në këtë drejtim. Pagesat për influencuesit variojnë nga 50 euro për një postim të thjeshtë deri në mbi 2000 euro për paketa të përmbajtjeve të ndryshme, si story, postime, dhe video të shkurtra. Këto pagesa përcaktohen jo vetëm nga numri i ndjekësve, por edhe nga angazhimi i audiencës dhe ndikimi real i përmbajtjes së tyre, shkruan monitor.al.
Sipas ekspertëve, marketingu dixhital ka marrë tashmë pjesën më të madhe të buxhetit të reklamave, duke kaluar përmasat tradicionale. Ndërsa influencuesit fitojnë popullaritet dhe ndikim, edhe markat janë bërë më kërkuese, duke u fokusuar jo vetëm në ndjekësit, por në cilësinë e përmbajtjes dhe efektivitetin e fushatave.
Industria e influencuesve është bërë një hapësirë e rëndësishme për sipërmarrje, ndërsa marrëdhëniet mes influencuesve dhe kompanive vazhdojnë të zhvillohen, duke krijuar mundësi të reja për rritje dhe sukses në tregun shqiptar.
Industria e “influencers”
Industria e influencuesve është një hapësirë për sipërmarrje dhe eksplorim, lidhje dhe angazhim, të vërteta dhe shtirje, shprehje e vetvetes dhe ezaurim.
Influencuesit mendohen se janë liderë që gjenerojnë tematika dhe vendosin tendencat në mesin e një auditori ndjekësish, duke i pozicionuar ato në një drejtim të caktuar, për t’u partnerizuar me markat, mbi përmbajtjen e sponsorizuar.
Ndikuesit po “konkurrojnë” tregun e reklamave tradicionale dhe po përhapin mesazhin e një marke për audiencën e synuar në një mënyrë autentike.
Sipas Monitor, influencuesit në përgjithësi fitojnë para nga miratimi i produkteve në faqen e tyre – të cilat duhet të etiketohen qartë si reklama për shkak të rregullave të Autoritetit të Standardeve të Reklamimit.
Tregu global
Në fund të vitit të shkuar, industria në botë llogaritet të vlejë 21 miliardë dollarë dhe parashikohet të arrijë 24 miliardë dollarë në fund të 2024.
Pagesat për influencers në Shqipëri, variojnë sipas ndjekësve:
- Mikroinfluencers (nën 10,000 ndjekës): rreth 100 euro
- Mes 10,000 dhe 50,000 ndjekës: 200 – 400 euro
- Mbi 50,000 ndjekës: rreth 600 euro
- Mbi 100,000 ndjekës: 700 – 1700 euro
- Shifrat janë më të larta për postime të miksuara në Instagram dhe TikTok, duke kaluar 2000 euro.
Më të ndjekurit dhe më influencuesit
Sipas c+, një platformë e njohur botërore për matjen e suksesit të influencuesve, 3 janë “yjet” në Shqipëri që kanë ndërthurjen mes ndjekësve, angazhimit dhe feedback më të lartë: Luana Vjollca, 2.2 mln ndjekës, Noizy 2.2 milionë ndjekës dhe Armina Mevlani, 2 milionë ndjekës. Emrat e tjerë që ndjekin janë Bes Kallaku, Alketa Vejsiu, Ermal Mamaqi, Bora Zemani, Rezarta Shkurta, Lori Hoxha etj./Katror.info