Parisi po nxiton t’i kryejë punimet e ndërtimit në kohë për Lojërat Olimpike të vitit 2024. Kryeqyteti i Francës ka vetëm 18 muaj në dispozicion për t’i përfunduar punimet. Vonesat po shfaqen nga industria e çelikut për shkak të ndikimit të luftës së Rusisë në Ukrainë. Një qendër, e cila duhej të përfundonte në verë, nuk do të përfundojë deri në fillim të vitit të ardhshëm, vetëm disa muaj përpara se Lojërat e Parisit të fillojnë më 26 korrik 2024.
Arena në Porte de la Chapelle, një lagje multikulturore dhe punëtore e kryeqytetit francez, do të presë ngjarje të badmintonit dhe gjimnastikës ritmike. Objektet do të përdoren gjithashtu në Lojërat Paralimpike përpara se t’u dorëzohen klubeve dhe shkollave lokale. Çeliku që do të përdorej për arenën fillimisht do të sigurohej nga Ukraina, tha Christophe Rosa, përgjegjës në Bashkinë e Parisit.
Sindikata e prodhuesve të çelikut të Ukrainës tha këtë muaj se prodhimi ra për më shumë se 70 për qind vitin e kaluar për shkak të pushtimit rus dhe shkatërrimit të fabrikave të mëdha.
“Ne kemi gjetur zgjidhje për të marrë çelikun nga vende të tjera në Evropë, duke përfshirë lindjen, në Poloni, por edhe nga një numër fabrikash prodhuese në Evropën Jugore, në mënyrë që të frenojmë vonesat dhe të synojmë të përfundojmë punimet në vitin 2023”, tha Rosa.
Projekti, i cili kushton rreth 138 milionë euro, kërkon 1500 tonë çelik. Qendra do të quhet “Adidas Arena”, bazuar në një marrëveshje me vlerë 2.8 milionë euro në vit me kompaninë e veshjeve sportive, që u miratua nga bashkia e qytetit vitin e kaluar. Vetë arena do të pranojë deri në 8000 njerëz për ngjarje sportive dhe do të bëhet shtëpia e ardhshme e klubit të basketbollit të Parisit. Dy gjimnaze pranë do të ofrojnë ambiente sportive që janë shumë të nevojshme në një nga zonat më të varfra të kryeqytetit, sipas Bashkisë së Parisit.
Vitet e fundit, zona ka qenë shtëpia e qindra emigrantëve dhe azilkërkuesve që jetonin në kushte të mjerueshme në kampe të improvizuara që janë pastruar rregullisht nga policia. Gjatë Lojërave Paralimpike objektet do të organizojnë ngjarje të badmintonit dhe peshëngritjes dhe më vonë do të përdoren nga një klub basketbolli me karroca për stërvitje.
“Është i vetmi vend që ne duhet të ndërtojmë në qytetin e Parisit për Lojërat Olimpike”, tha Eve Brunelle. “Ne po rinovojmë shumë, duke përfshirë terrenet stërvitore për Lojërat Olimpike dhe mendojmë se do të jemi gati me kohë”.
Punime të tjera të mëdha ndërtimore përfshijnë fshatin olimpik, i cili do të strehojë rreth 15,000 sportistë dhe zyrtarë, si dhe pishinën. Të dyja janë të vendosura në zonën periferike në veri të Parisit./Katror.info