Peja do të presë nga 23 deri më 26 tetor edicionin e 6-të të festivalit Peja Jazz, një ngjarje që bashkon komunitetin e dashamirëve të muzikës jazz për katër mbrëmje me performanca nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë. Festivali sjell nuancat e ndryshme të këtij zhanri, duke rikthyer gjallërinë dhe energjinë muzikore në qytet.
Çfarë nisi si një iniciativë spontane për të bashkuar njerëzit gjatë periudhave të izolimit, tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme. Ngjarja zhvillohet çdo vjeshtë ose dimër, kur qyteti duket se zhyttet në qetësi, duke rikthyer atmosferën e gjallë të dikurshme kulturore.
“Çdo mbrëmje prej orës 20:00, festivali Peja Jazz fton dashamirët e jazz-it të eksplorojnë së bashku magjinë e këtij zhanri, dhe të bëhen pjesë e jetësimit të skenës kulturore të qytetit, duke kujtuar prezencën dhe madhështinë e muzikës për komunitetin lokal dhe nostalgjinë për të kaluarën e artë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve./Katror.info