Për herë të parë që nga themelimi 25 vite më parë, Policia e Kosovës ka himnin dhe marshin e saj.
Kështu tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në ceremoninë e policisë në 25 vjetorin e themelimit.
“Në këtë datë historike të themelimit, Policia e Kosovës tani për herë të parë ka të kompozuar himnin dhe marshin e policisë, të cilat ekskluzivisht në këtë 25-vjetor do të publikohen”, tha Kelani.
Marshin dhe himnin e Policisë së Kosovës e kompozoi Valton Beqiri.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Policia e Kosovës, gjatë çerek-shekullit të punës së saj, vazhdon të jetë një nga institucionet me të besuara dhe të respektuara të vendit tonë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë fjalimit të saj në ceremoninë qendrore për shënimin e 25-vjetorit të themelimit të Policisë, e para e shtetit kujtoi heroin Afrim Bunjakun dhe 22 policët e tjerë të rënë në detyrë.
Osmani ka thënë se puna dhe trimëria e tyre i frymëzon të gjithë dhe ka qenë e rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi dhe qetësia.
“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës. 6 shtatori shënon një moment tejet të rëndësishëm në ditën e themelimit të Policisë sonë. Sot jemi këtu për ta kremtuar 25-vjetorin e Policisë, ditë kjo e cila nuk është thjesht një festë e një institucioni, por një nderim për përkushtimin dhe sakrificën e grave dhe burrave që kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë si gardianë të rendit dhe sigurisë. Policia e Kosovës gjatë këtij çerek shekulli vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara të vendit tonë. Forcat policore kanë qenë në krye të mbrojtjes së qytetarëve tanë, që rrugët, shtëpitë dhe gjithë qytetarët në çdo cep të Kosovës të jenë të sigurtë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë Policia e Kosovës është e gatshme ta mbrojë edhe me jetë territoritn e Kosovës, e se sulmet në veri të vendit, gjatë tri viteve të funit, dëshmojnë profesionalizmin pasionin e policëve.
Në 25-vjetorin e themelimit të Policisë, ai ka uruar të gjithë popullin e Kosovës, ndërsa e ka quajtur Policinë, institucionin e parë që me fisnikëri e besueshmëri i shërbeu qytetarëve të vendit.
“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës. Pas përpjekjeve të mëdha të popullit të Kosovës për liri, policia u bë institucioni i parë që me fisnikëri e besueshmëri i shërbeu qytetarëve të vendit, e që në mes dhimbjeve të madha dhe humbjeve nga lufta, sytë i kishte nga rimëkëmbja. Veprimet e policisë sonë në sulmet e një pas njëshme në tri vitet e fundit, nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia, e veçanërisht në sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveqanit, dëshmojnë me profesionalizëm dhe pasion arrihen rezultate për sundim të ligjit. Banjska ka risjell në vëmendjen e secilit prej nesh, se pavarësisht çfarëdo aspirate të shfrenuar të kujtdo çoftë mbi Republikën tonë të dashur, territori ynë do të mbrohet edhe me jetë”, tha kreu i qeverisë në ceremoninë e policisë./Katror.info