Më 6, 7 dhe 8 nëntor, Radiotelevizioni i Kosovës sjell edicionin e tretë të festivalit të këngës me artistë të njohur e zëra të rinj që do të performojnë përgjatë tri netëve. Për të diskutuar në detaje për festivalin, u mblodhën drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla, drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, si dhe stafi realizues, ku folën për përgatitjet e fundit.
Ndërkohë, ata dolën në terren edhe për të parë nga afër përgatitjet e skenës së festivalit.
“Kjo është ngjarja më e rëndësishme kulturore në vend, nuk ka ngjarje më të madhe kulturore sesa festivali i këngës në RTK. Cilësinë që e kemi dëshmuar në dy festivalet do të përpiqemi ta ruajmë dhe ta lartësojmë, ky festival do të ketë simbolikën e vet, do të jetë një mirënjohje ndaj të gjithë atyre artistëve që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në jetën kulturore, jetën muzikore në Kosovë”, tha drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla.
Gërvalla foli edhe për sfidat gjatë përgatitjeve të festivalit.
“Sfidat më të mëdha janë ato financiare, RTK-ja nuk është në gjendje financiare të mirë, të rregulluar edhe sipas ligjit. Këtë herë ne kemi planifikuar që të bëjmë një thirrje publike për bizneset të cilat janë të interesuara të kontribuojnë për këtë festival që është i gjithë qytetarëve të Kosovës. Do të ishte një shembull edhe për EBU-në se ne jemi gati për Eurosong”, tha ai.
Ndërkaq, drejtori artistik, Florent Boshnjaku, tha se pavarësisht asaj se salla nuk i plotëson kushtet për festival, kjo ngjarje do të sjellë shumë befasi në Prishtinë.
“Kemi me pritë vazhdimin e festës të cilën e kemi filluar që dy vite dhe besoj që publiku ka me shiju këtë festë edhe sivjet. Mendoj që vet fakti që sivjet kemi edhe më shumë këngë, kemi aplikime më shumë, po pastaj edhe në garë kemi më shumë këngë, besoj që vet ky fakt ka me qenë ai ndryshimi të cilin publiku ka me shiju. Këngët janë normalisht të reja, po edhe programi artistik brenda për brenda festivalit ka me qenë mjaft atraktiv”, tha Florent Boshnjaku, drejtor artistik i festivalit.
Vitin e parë festivalin e këngës e ka fituar La Fazani me këngën “Oj Kosovë”, ndërkaq Endrit Krasniqi me këngën “Flas me gjethen” ishte fituesi i edicionit të dytë të festivalit të RTK-së. /RTKlive/Katror.info