Më 8 shtator të vitit të kaluar, në Heraklion të Greqisë, u vendos që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë. Është kjo është dukshëm ngjarja më e madhe sportive që do të organizohet në Kosovë. Punët në infrastrukturë dhe në fusha të tjera vlerësohet se do të jenë të mëdha që Prishtina e Kosova të jenë gati për të pritur mijëra sportistë nga shumë vende rreth Mesdheut.
Pritej që punët të nisin menjëherë, por kjo megjithatë nuk ka ndodhur. Ka kaluar më shumë se një vit dhe nuk është bërë asnjë hap drejt organizimit të Lojërave Mesdhetare. Afate tashmë janë shkelur.
Ka pasur përplasje mes Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe kjo bëri që procesi të stopohet. Nuk është funksionalizuar Komiteti Organizativ dhe nuk është bërë asnjë hap para drejt organizimit të ngjarjes, shkruan Koha.net.
Qeveria e Kosovës kishte kërkuar marrëveshje të re me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG). Përmes saj synohej që Qeveria të ishte përgjegjësja kryesore e jo qyteti i Prishtinës. Propozimi është refuzuar nga ICMG-ja, që si nikoqire të Lojërave Mesdhetare i cakton qytetet e jo shtetet.
Janë mbajtur edhe takime mes palëve të përfshira, përfaqësueseve të Qeverisë, të Komunës së Prishtinës dhe KOK-ut. Madje ka pasur edhe tensione në to, ndërsa nuk ishte arritur pajtimi për të vazhduar para me procesin.
Telashet megjithatë duket se janë kaluar të martën në Athinë të Greqisë. Me drejtuesit e ICMG-së janë takuar zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtuesit e KOK-ut.
Njoftimet e lëshuara nga palët kanë dallime të shumta, por megjithatë lënë të kuptohet se një pajtim është arritur.
“Në qytetin e lindjes së Lojërave Olimpike, në Athinë, sot së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Komunën e Prishtinës u takuam me përfaqësuesit e lartë të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare për koordinim rreth përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030. Kosova po rrugëton me hapa të sigurt drejt organizimit të ngjarjes më të madhe multisportive në vend”, ka shkruar zëvendësministrja Osmani, që nuk e ka përmendur që Lojërat organizohen në Prishtinë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shkruar se puna konkrete po fillon. Sipas tij, Prishtina ka bërë progres, duke zhvilluar Master Planin për Fshatin Olimpik.
“Përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar rikonfirmuan para të gjitha palëve të përfshira se Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” duhet të organizohen nga kryeqyteti dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, ashtu siç është përcaktuar me kontratën e nënshkruar ndërmjet të gjitha palëve më 8 shtator 2023. Të gjitha paqartësitë që Qeveria e Kosovës ka pasur rreth organizimit morën përgjigje nga përfaqësuesit e Komitetit Ndërkombëtar”, ka shkruar Rama.
“Duhet të punojmë me hapa të përshpejtuar për të kompensuar kohën e humbur si rrjedhojë e këtyre paqartësive”, ka shkruar tutje Rama.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka shkruar se thuajse çdo gjë ishte dhe është në rregull sa i takon organizimit.
“Takimi dëshmoi një unitet të jashtëzakonshëm të hisedarëve kyç dhe konfirmoi se jemi në rrugën e duhur për të organizuar një ngjarje madhështore si LM Prishtina 2030”, ka shkruar KOK-u, ndër të tjera.
Përmirësimet në infrastrukturën sportive pritet të jetë përfitimi më i madh nga Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Plani ishte që ngjarje sportive të mbahen edhe në qytete të tjera e po ashtu në Shqipëri. Investimet, që pritet të jenë shumë të mëdha, do të bëhen nga shteti i Kosovës.
Lojërat Mesdhetare si ngjarje sportive kanë humbur goxha shumë rëndësinë në dekadat e fundit. Për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, kandidate e vetme ishte Prishtina. Madje ICMG-ja bëri ndryshime në statutin e saj për t’ia mundësuar Prishtinës që t’i organizojë Lojërat. Për herë të parë një qytet i një vendi që nuk ka dalje në det do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare.
Telashe të natyrës politike priten ndërkohë. Një pjesë e shteteve që janë pjesë e ICMG-së nuk e njohin Kosovën dhe ka rrezik që të mos i dërgojnë sportistët.
Edicioni i kaluar i Lojërave Mesdhetare, i 19-ti, ishte mbajtur në Oran të Algjerisë, në vitin 2022. Morën pjesë afër 3.400 sportistë nga 26 vende. Është garuar në 24 sporte të ndryshme.
Në Oran kanë garuar sportistë nga Kosova, Shqipëria, Algjeria, Andorra, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Qiproja, Egjipti, Franca, Greqia, Italia, Litani, Libia, Malta, Monako, Mali i Zi, Maroku, Maqedonia e Veriut, Portugalia, San Marino, Serbia, Sllovenia, Spanja, Siria, Tunizia e Turqia.
Kosova i fitoi gjashtë medalje, prej tyre tri të arta. Pesë prej medaljeve, duke përfshirë tri të artat, u fituan në xhudo.
Jo të gjitha vendet i dërgojnë sportistët më të mirë në Lojërat Mesdhetare. Sidomos vendet më të mëdha ngjarjen e shohin si mundësi për sportistët me potencialë.
Se interesimi për Lojërat Mesdhetare nuk është i madh dëshmon edhe fakti që për edicionin e vitit 2026 kandidaturën e vetme për organizim e paraqiti Taranto e Italisë. Dhe kjo kandidaturë u pranua./Katror.info