Google Wallet ka evoluar ndër vite në një portofol digjital të gjithanshëm, ku përdoruesit mund të ruajnë shumë më tepër se thjesht karta bankare. Përveç kartave të kreditit dhe debitit, aplikacioni mbështet ruajtjen e biletave të udhëtimit, kartave të identitetit, pasaportave digjitale, kuponëve e të tjera.
Me përditësimin më të fundit, përdoruesit që kanë versionin Android 16 do të vërejnë një përmirësim të lehtë vizual dhe funksional: një ndërfaqe më e pastër, që e bën më të lehtë dhe më të shpejtë qasjen në karta. Ky përditësim u raportua fillimisht nga një anëtar i komunitetit Reddit, i cili ndau pamje nga dizajni i ri në versionin 25.31 të aplikacionit.
Për ta aktivizuar këtë ndërfaqe të re, është e nevojshme të:
- Përditësoni versionin beta të Google Wallet,
- Siguroheni që të keni versionin më të fundit të Google Play Services,
- Aktivizoni funksionin që e lejon Wallet të shfaqet duke shtypur dy herë butonin e ndezjes (kjo për momentin funksionon vetëm në pajisjet Pixel).
Pasi të jetë konfiguruar, një shtypje e dyfishtë në butonin e ndezjes do të shfaqë kartat në një ekran të ri me sfond të turbullt dhe udhëzues për afrim me pajisjet NFC. Ju mund të rrëshqitni përmes kartave ose të përdorni atë të paracaktuar menjëherë.
Ajo që e bën këtë veçori të dobishme është fakti se nuk hap aplikacionin e plotë, duke lejuar përdoruesin të kthehet menjëherë te aplikacioni që po përdorte pas përfundimit të transaksionit. Një qasje më praktike që ngjan me përvojën në iPhone, por që tani po shfaqet edhe në Android./Katror.info