Policisë së Kosovës iu kanë shtuar 446 pjesëtarë të rinj. Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës është mbajtur në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Presidentja Osmani para kadetëve të diplomuar të policisë ka thënë se nga sot ata janë në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës pa dallim.
“Tani e tutje jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës sonë pa dallim. Kushtetua e Kosovës është udhërrëfyese e juaja. Ju do t’i bashkoheni radhës së policisë për të ofruar siguri dhe përgjegjësi për ruajtjen e kufirit tonë”, ka thënë Osmani.
Ajo tutje ka thënë se kjo ditë është tejet e rëndësishme për të gjithë dhe në të njëjtën kohë shënon kurorëzimin e mundit të vajzave e djemve të rinj për t’u bërë gardianë të Republikës.
E para e shtetit ka thënë se edhe sot Kosova përballet me sfida dhe kërcënime nga fqinji verior.
“Përderisa vazhdimisht përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë se edhe në këto momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist si Serbia”, tha ajo.
Ajo tutje i bëri thirrje të gjithë aleatëve që “ta ngrenë zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë”./Katror.info