Polonia ka vendosur të hënën kontrolla kufitare me Gjermaninë dhe Lituaninë fqinje, me qëllim dekurajimin e azilkërkuesve.
Në qytetin polak të Slubicës, rojet kufitare u panë duke kontrolluar automjetet ndërsa ato kalonin në Gjermani të hënën në mëngjes, raporton AP.
Kontrollet e rivendosura, të cilat filluan gjatë natës të dielën, do të zgjasin për një periudhë fillestare prej 30 ditësh, megjithëse autoritetet nuk e kanë përjashtuar zgjatjen e tyre, sipas ministrisë polake të Punëve të Brendshme dhe Administratës.
Kufizime të ngjashme gjermane janë vendosur në fillim të këtij viti.
Presioni ishte rritur pasi grupet e ekstremit të djathtë në Poloni pretenduan se Gjermania po transportonte migrantë në territorin polak pasi ata kishin arritur në Evropën Perëndimore.
Kufiri polak me Lituaninë, i cili shtrihet për 104 kilometra do të ketë kontrolle në 13 vende. Kufiri i Polonisë me Gjermaninë, i cili ka shtrirje prej 467 kilometrash, do të ketë kontrolle në 52 pika kalimi.
Bashkimi Evropian ka një zonë udhëtimi pa viza, të njohur si Shengen, që u lejon qytetarëve të shumicës së shteteve anëtare të udhëtojnë lehtësisht përtej kufijve për punë dhe kënaqësi.
Sipas BE-së, shteteve anëtare u lejohet të rivendosin përkohësisht kontrollet kufitare në rastet e një kërcënimi serioz, si siguria e brendshme. Ajo thotë se kontrollet kufitare duhet të zbatohen si mjet i fundit në situata të jashtëzakonshme dhe duhet të jenë të kufizuara në kohë. /Koha.net/Katror.info
Përgatiti:
