Shumë pranë arritjes historike. Piloti shqiptar Gentjan Shaqiri mund të shkruajë historinë duke u shpallur kampion në FIA CEZ në garën Hill Climb.
Pas suksesit në Tara të Serbisë, ku u rendit i pari në kategorinë D/E2-SS dhe në vend të 5 në Renditjen e Përgjithshme, Shaqiri kërkon vazhdimësi dhe premton të tjera paraqitje pozitive në pistë, ndërsa këtë sezon ambiciet janë dhe më të mëdha, siç raporton A2.
Aktualisht, piloti i “Naçut Racing Team” poizicionohet në vendin e dytë në FIA CEZ Hill Climb Championship në grupin D/E2-SS me 70 pikë dhe lufton për vendin e parë ku pozicionohet Laszlo Szasz me 75 pikë.
Kur kanë mbetur dhe dy gara nga përfundimi i kampionatit, ajo në Kroaci dhe në fund në Austri, pritshmëritë e pilotit shqiptar janë maksimale. Një vit më parë, Shaqiri vendosi rekord historik duke u shpallur nënkampion Europe në FIA CEZ. Ai është piloti i parë shqiptar që garon me një makinë formule. /Katror.info