Sot fillon edicioni i 16-të të festivalit ndërkombëtar të filmit – PriFest, një edicion i jashtëzakonshëm që premton shumë. Kinemaja regjionale dhe njëkohësisht gara kryesore e PriFest, filmat e metrazhit të gjatë Ballkanik, premton një program shumë tërheqës dhe atraktiv, njofton PriFest.
Filmi i parë i kësaj kategorie dhe njëherësh edhe filmi i cili do të hap këtë edicion është filmi LEJLEK (STORK) nga regjisori i mirënjohur Isa Qosja, film i cili vjen si premierë botërore në PriFest. Ky film është bashkëprodhim i Malit të Zi me Kosovën. Filmi ‘Lejlek’ është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Filmi flet për një fshat të përgjumur në Malin e Zi, ku shumica e vendasve kanë emigruar në SHBA. Ky fshat është mjedisi i një historie të hidhur të tri grave. Suta i reziston presionit për t’u martuar me binjakun autik të burrit të saj të ndjerë, Vezirja dhe Dranja duhet të mësojnë të bashkëjetojnë pasi burri i tyre i përbashkët planifikon të largohet, Fizja përpiqet të gjejë një nuse për djalin e saj. Por, me ardhjen e një lejleku shqetësohen të gjithë fshatarët supersticiozë.
“Për 97 minuta, publiku do shikojë performancën e mrekullueshme të aktorëve: Arta Dobroshi, Donat Qosja, Shkumbin Istrefi, Arben Bajraktaraj, Flonja Kodheli, Doresa Rexha, Mirush Kabashi, Kumrije Hoxha, Zyliha Miloti, Luan Jaha, Selman Jusufi, Safete Rogova, Gentian Anastasi, Besa Tusha.
Producentë janë Ivan Gjuroviq, Bajrush Kajtazi dhe Snezhana Nikçeviq. Xhirues është Gokhan Tiryaki ndërsa montazher Vanço Mirakovski,” thuhet në njoftimin e PriFest.
“Jemi shumë të lumtur që po e hapim edicionin e 16-të me premierë boterore, për me shumë me një film bashkëprodhim i Malit të Zi me Kosovën. Filmi i regjisorit të mirënjohur Isa Qosja me një kast të mrekullueshëm të aktorëve nga Kosova e Shqipëria do të hap festën e filmit dhe do të jetë në konkurrencën zyrtare të kategorisë kryesore të filmave të metrazhit të gjatë ballkanik,” ka thënë drejtori i PriFest, Fatos Berisha.
Sivjet do të jenë në total 22 filma që do të shfaqen në kategori të ndryshme prej asaj kryesores që është filmi i gjatë artistik ballkanik, filmi i shkurtë dhe filmi i metazhit të mesëm. Po ashtu janë edhe programe speciale sië është ai i FOKUS, ku këtë vit në fokus është Britania e Madhe edhe programi Let it be që ka të bëjë me komunitetin LGBTI.
PriFest zgjat nga 10-15 shtator 2024 në Kino Armata në Prishtinë./Katror.info