Edicioni i 17-të i PriFest hapet me premierën botërore të filmit “Bear Hug” nga regjisori Ilirjan Himaj, duke nisur festivalin me një histori të fuqishme dhe prekëse nga Kosova dhe Shqipëria, njofton PriFest,Prishtina International Film Festival.
Filmi është pjesë e programit kryesor garues të festivalit, i cili do të shfaqë një përzgjedhje të larmishme dhe magjepsëse të tregimeve nga mbarë rajoni i Ballkanit përmes filmave artistikë me metrazh të gjatë.
Filmi “Bear Hug” i regjisorit Ilirjan Himaj sjell historinë e Agu-t, rojtar i një strehe arinjsh, i cili niset në një arrati dramatike për të shpëtuar Tinën, një vajzë me ëndrra të mëdha që është në grackën e një shtetari të pamëshirshëm. Ata kërkojnë lirinë përtej ligjeve të njerëzve, ndërsa ndiqen nga një gjuetar i pamëshirshëm dhe kufijtë mes njeriut e bishës zbehen.
“Bear Hug” eksploron temat e mbijetesës, dashurisë dhe luftës për lirinë personale, duke ndërthurur dramën dhe suspensin në një histori që është njëkohësisht intime dhe epike.
PriFest do të zhvillohet nga data 09 deri më 14 shtator 2025 në Kino Armata në Prishtinë. /Katror.info