Javë më parë Komuna e Prishtinës njoftoi se ka nisur projekti për rregullimin e shkallëve të Posta, në lagjen Dardania, në Komunën e Prishtinës.
Kompania që është kontraktuar për përfundimin e këtij projekti është Selmans Network.
“Kontrata me Komunën e Prishtinës është në kuadër të një kontrate që përfshinë rregullimin e hapësirave publike, është kontratë 3 vjeçare, në këtë kontratë përfshihet edhe projekti për shkallët tek Posta. Nuk ka afat të caktuar për përfundimin e projektit, ne jemi duke punuar në mënyrë sa më të shpejtë të mundshme që projekti me përfundu në muajin dhjetor” ka thënë fillimisht nga kompania Selmans Network, për Shqip.com.
Më tutje nga Kompania thonë se vlera e projektit përcaktohet sipas çmimit të njësisë.
“Janë përcaktuar çmimet për njësi, është kontratë kornizë, ulëset, dritat të gjitha janë të përfshira në çmim për njësi, komuna i përcakton pozicionet” thonë nga Kompania.
Nga qytetarët është kërkuar edhe ndërtimi i një ashensori për personat me nevoja të veçanta.
“Ashensori nuk ka qenë i paraparë fare, pas përfundimit të projektit është menduar që me u ndërtu edhe një ashensor për personat me nevoja të veçanta, pas shumë kërkesave nga ana e qytetarëve”, thanë nga Selmans Network./Katror.info