“British Invasion” (Pushtimi Britanik) ishte një fenomen kulturor i mesit të viteve të ’60-ta, kur trendet e muzikës rock dhe pop nga Britania e Madhe dhe aspekte të tjera të kulturës britanike u bënë të njohura në Shtetet e Bashkuara me ndikim të rëndësishëm në rritjen e “counter culture” (kundërkulturës) në të dy anët e Atlantikut. “Pushtimi Britanik” ishte një nga lëvizjet më të diskutuara në historinë e muzikës moderne.
I ndezur, natyrisht, nga Beatles, “Pushtimi” shënon një valë aktesh muzikore që sulmuan listat e SHBA-së nga Britania e Madhe.
Rolling Stones, The Who, Dusty Springfield, The Kinks, Animals dhe shumë të tjerë u bënë emra të njohur dhe elementë kryesorë të radios dhe ndikuan në modë, film, letërsi, frymëzuan komentet sociale dhe thuhet se asokohe, e zgjeruan hendekun e brezave.
Shenjat e para në SHBA se diçka e rëndësishme muzikore po ndodhte në Angli erdhi nga artikujt e gazetave në vjeshtën e vitit 1963. Media të ndryshme filluan të flisnin për “Beatlemania”.
Në mëngjesin e 22 nëntorit 1963, CBS Morning News, transmetoi një segment të trendit të lehtë rreth Beatles dhe fenomenit Beatlemania. Ishte paralajmëruar për t’u transmetuar më vonë atë mbrëmje në CBS Evening News, por u anulua sepse po atë ditë ndodhi vrasja e Presidentit John F. Kennedy.
Segmenti televiziv për Beatles u ritransmetua përfundimisht më 10 dhjetor 1963.
Pasi pa këtë segment të ritransmetuar, Marsha Albert, 15-vjeçare që jetonte në Silver Spring, Maryland, i shkroi radiostacionit të saj lokal, WWDC-AM, duke pyetur moderatorin e emisionit Carroll James Jr. “Pse nuk mund të kemi muzikë të tillë këtu në Amerikë?”. Pas kësaj letre, James Jr. E gjeti një kopje të diskut “I Want To Hold You Hand” të Beatles nga një stjuardesë e korporatës British Overseas Airways. Më 17 dhjetor 1963, James Jr. e ftoi Marsha Albertin në studion e tij ku ajo prezantoi këngën e Beatles në Amerikë për herë të parë, dhe nga ky moment asgjë nuk do të jetë e njëjtë në muzikën amerikane por edhe botërore.
Ardhja triumfuese e Beatles në New York më 7 shkurt 1964, hapi dyert e Amerikës për një pasuri të talenteve muzikore britanike. Ajo që pasoi do të quhej – me ironi historike “Kolonia e ripushtuar me dëshirë – Pushtimi i dytë britanik”, por nga shumë autorë të atëhershëm u vlerësua edhe si energji e re “ngushëlluese” pas traumës amerikane nga vrasja e Presidenti John F. Kenedy.
Dy ditë më vonë, të dielën, më 9 shkurt, grupi u shfaq në “The Ed Sullivan Show”. Nielsen Ratings, kompani për matjen e shikueshmërisë asokohe në SHBA vlerësoi se 45 për qind e shikuesve televizivë amerikanë atë natë shikuan Beatles në “Ed Sullivan Show”.
Sipas Michael Ross, autor dhe producent që përcolli ardhjen e Beatles në Amerikë “ishte disi ironike që momenti më i madh në historinë e muzikës moderne u përjetua për herë të parë në SHBA si një ngjarje televizive”. Shfaqja e Ed Sullivan deri atëherë ishte “përvojë e rehatshme pranë kaminës me pantofla”. Jo shumë nga 73 milionë shikuesit që shikonin në shkurt 1964 do ta kuptonin plotësisht se çfarë ndikimi do të kishte grupi që po shikonin. Një vitë më vonë gazetari Larry Kane e pyeti menagjerin Brian Epstein, sa mendonte se do të zgjasë fama e Beatles, ai u përgjigj: “Po të them, Larry, nuk ka asnjë grup tjetër si ky, për gjithë përjetësinë, që po të them Larry tani në vitin 1965 se rinia e viteve 2000 do ti dëgjojë Beatles”.
Kjo doli e vërtetë, por jo vetëm për Beatles, edhe grupet tjera britanike të asaj kohe synuan top listat botërore edhe pas vitit 2000, sidomos Rolling Stones që edhe 60 vite pas “Pushtimit” janë aktivë dhe të sukseshëm.
Koncerti i Beatles në stadiumin Shea në lagjen Queens në New York, më 15 gusht 1965 ishte një nga ngjarjet më të famshme të koncerteve të epokës së re. Ai vendosi rekorde për pjesëmarrjen dhe gjenerimin e të ardhurave.
Promovuesi Sid Bernstein tha, “Mbi 55,000 njerëz panë Beatles në stadiumin Shea, deri atëherë dukuri e pazakontë. Ne morëm 304,000 dollarë, fitimi më i madh ndonjëherë në historinë e biznesit muzikor dhe Show biznesit në përgjithësi.”
Beatles morën 160,000 dollarë për performancën e tyre, që barazohej me 100 dollarë për çdo sekondë që ata ishin në skenë. Koncerti në Shea Stadium u karakterizua me histeri dhe britma, shumë kritikë patën thënë se muzika gati se nuk është dëgjuar nga piskama e publikut. Ky event ndikoi që më vonë koncertet në hapësirë të hapur të bëhen të zakonshëm.
“Pushtimi” britanik gjithashtu luajti një rol të madh në ngritjen e një zhanri të veçantë të muzikës, Rock, vendosi standardet dhe forcoi përparësinë e grupit Rock, i bazuar në kitarat dhe bateritë, duke performuar dhe prodhuar materialin e tyre si kantautorë.
“Pushtimi” britanik shkaktoi një shpërthim krijues muzikor në Amerikë, shitjet e kitarës u rritën, flokët më të gjatë për të rinjtë u bënë menjëherë pjesë e modës, flamuri britanik u bë një deklaratë e modës, lindi shtypi muzikor me kritikë të mirëfilltë të cilët rokun nuk e konsideronin vetëm zbavitje, por pjesë të artit dhe kulturës. Grupe të reja u formuan në të gjithë Amerikën.
Në Los Angjelos, grupi Byrds bazuan tingujt e tyre të hershëm në The Beatles. The Beach Boys përdorën albumet e Beatles “Rubber Soul” dhe “Revolver” si frymëzim për kryeveprën e tyre, “Pet Sounds”.
Monkees krijuan maninë e tyre. Në San Francisko, Jefferson Airplane dhe Grateful Dead i kishin rrënjët e hershme në “Pushtimin” Britanik.
Në Boston, grupet adoptuan ashpërsinë e Rolling Stones. Në Nju Jork, kalimi i Bob Dylan nga folklori në rock ishte i ndikuar nga Beatles. Në Detroit, aktet e Motown në muzikë soul dhe gospel interpretonin këngët e Beatles. Edhe në Teksasin konzervativ, grupet si “Sir Douglas Quintet” tingëllonin më shumë britanik se Teksas, efektet e pushtimit britanik ndryshuan hartën muzikore në Amerikë.
Ajo që shumë të rinj amerikanë në vitin 1964 nuk e kuptonin ishte se këto tinguj “të rinj” që vinin nga përtej Atlantikut nuk ishin aspak të reja. Shumë prej grupeve dhe artistëve të “Pushtimit” Britanik pretenduan Amerikën dhe traditën e saj jashtëzakonisht të pasur në Blues, Soul, Jazz dhe Gospel si ndikimin e tyre kryesor.
Ajo që e bëri rishpikjen e muzikës amerikane nga aktet britanike kaq tërheqëse ishin mënyrat e freskëta dhe novatore që ata e interpretuan atë dhe më pas mënyra me të cilën ata e bënë atë të tyren. I shoqëruar me thekse intriguese, ide të reja të modës dhe një përsosmëri vërtetë artistike, duke shtuar edhe ndikimin e folkut kelt “Pushtimi” Britanik ndezi një rilindje muzikore në Amerikë dhe rrjedhimisht në tërë botën, dhe vendosi në mënyrë të përhershme dhe të dukshme Britaninë e Madhe në qendër të hartës të Rock’n’ Roll-it.
Nuk ka asnjë datë zyrtare të përfundimit të Invasionit Britanik të Amerikës, megjithatë, shumë historianë të muzikës theksojnë koncertin e fundit të Beatles në Parkun Candlestick të San Franciskos në gusht 1966 si përfundimin më logjik të pushtimit të parë.
Pas kësaj, Beatles u tërhoqën nga koncertimet dhe punonin vetëm në studio duke eksperimentuar dhe kështu dolën me tinguj të ri dhe zgjeruan shtrirjen krijuese të Rock-ut me këngë si “Strawberry Fields Forever” dhe albumin “Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band”. Në këtë mënyrë Beatles frymëzuan një pushtim të dytë britanik.
Connie Francis këngëtare pop amerikane, aktore dhe vokaliste ndër më të mirë të fundit të viteve 1950 dhe fillimit të viteve 1960, vlerësohet të ketë shitur më shumë se 100 milionë disqe në mbarë botën më 2002 pat deklaruar, “Beatles ndryshuan muzikën për të gjithë në Amerikë, duke përfshirë Elvis Preselyn i cili nuk mund të kishte as një hit numër një gjatë asaj periudhe kohore – ata absolutisht na fshinë menjëherë nga top listat. Kjo ishte ajo. Në 64-ën, gjithçka kishte marrë fund për këngëtarët amerikanë”.
Duke ndjekur gjurmët e Beatles, të mbushur me ide dhe tinguj të rinj, Cream, Pink Floyd, Led Zeppelin, Small Faces, Moody Blues, Procol Harum dhe të tjerë, së bashku me mbajtësit Rolling Stones, Who dhe Kinks, bënë invazionin e dytë Britanik po aq me ndikim, emocionues, muzikor dhe i paharrueshëm sa i pari.
Kjo periudhë ndikoi që çdo anëtar i grupit të jetë i rëndësishëm në përformimin e tyre. Bateristës si Keith Moon nga Who, John Bonham nga Led Zeppelin ose Ginger Baker nga Cream u bënë të njohur, pas kitaristës si John Paul Jones dhe John Entwistle e bënë bas kitarën më energjike në interpertimet e tyre. Dolën edhe kitaristët fenomenal, Jimi Hendriks, Eric Clapton, David Gilmour, Jimmi Page, por edhe instrumentalistë tjerë si tastieristë të jashtëzakonshëm, Jon Lord nga Deep Purple, Rick Wakeman nga grupi Yes, Richard Wright nga Pink Floyd, deri atëherë muzicientët që përcillnin solistët ishin gati anonimë, tani kishin lirinë të ishin kreativ në instrumenetet e tyre.
Në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980, ndodhi një pushtim tjetër me pasojat e revolucionit punk/new wave. Sex Pistols, Clash, Police me Sting, UB40 e shumë të tjerë bënë ndikim të madh në rrymat muzikore amerikane.
“Pushtimi” britanik kishte një lloj vazhdimi. Ndërsa grupet si Beatles qysh në fund të viteve 60 -a filluan të shmangnin turneun dhe shfaqjet live, ata bënin filma të shkurtër që mund të shfeqeshin në çdo kohë në kanalet televizive të ndryshme muzikore në Britani. Këta filma të shkurtër evoluan në video muzikore dhe ato u bënë një gjë e zakonshme për aktet angleze.
Kur rrjeti kabllor MTV u lansua në SHBA në vitin 1981, aktet amerikane ishin shumë prapa në media, por aktet Britanike ishin shumë gati për video. Rrjedhimisht, David Bowie, grupe si Duran Duran, A Flock of Seagulls, Human League dhe Soft Cell filluan të shpërthejnë. Grupe nga Vala e Re e Heavy Metal Britanik (si Judas Priest dhe Iron Maiden) mbollën flamuj të tyre në Amerikë për shkak të ekspozimit të MTV. U deshën disa vite që artistët amerikanë si Michael Jackson, Prince, Madonna dhe Bruce Springsteen të arrinin primatin në produksionin e video muzikës.
Në zemër të saj, historia e “pushtimit” britanik filloi me një premisë të thjeshtë: njerëzve u pëlqen diçka e re. Dhe kur vjen diçka e re, variacionet e asaj gjëje të re do të jenë gjithashtu të njohura. Me kalimin e kohës, ai ose absorbohet në kulturë ose hidhet.
Ndërsa disa grupe të Invazionit Britanik nuk mbahen mend aq mirë sa të tjerët, ata u zhytën në strukturën më të gjerë të muzikës të popullarizuar. Grupet me kompozitorët e tyre si pjesë e njësisë u bënë normë dhe jo përjashtim.
Tingulli i drejtuar nga kitara i ndikuar nga blues që Ike Turner dhe Chuck Berry në vitet 1950 e luanin në Amerikë u hyjnizua nga Beatles dhe Rolling Stones, që të gjitha u bashkuan me ADN-në e muzikës së bazuar në këto grupe për t’u bërë themeli për Metalin, Punk, Rockun alternativ e e dhe për Pop Rokun që do të pasonte. Është e drejtë të thuhet se Pushtimi Britanik përfundoi sepse nuk kishte nevojë të pushtohej më, por ndikimi kyç britanik nuk u zhduk asnjëherë më nga kultura amerikane dhe muzika moderne në përgjithësi./Katror.info