Paramendojeni një vals fshatar, shtoni tingullin e një borie përtace paksa të shqetësuar, një mandolinë telat e se cilës dridhen me nervozitet dhe një bas të ngulfatur, pak fizarmonikë dhe përfundoni kolonën zanore me vokale korale dhe melodi simfonike. Dhe të gjitha këto në notat gjeniale të Nino Rotës dhe do të keni njërën nga pjesët e muzikës më frikësuese, më melankolike dhe më emocionale të dëgjuar ndonjëherë në kinema – “The Godfather Waltz” (Valsi i Kumbarit).
Një pjesë muzikore që belbëzon dhe shprëndan aromën siciliane, na zgjon kureshtjen dhe vazhdimisht na futet nën lëkurë pa marrë parasysh se sa herë e kemi pa filmin.
Pavarësisht kompozimeve të tij serioze në muzikën klasike, Nino Rota do të lidhet përgjithmonë me muzikën e tij për kinemanë i njohur për kolonat zanore, veçanërisht për filmat e Federico Fellini dhe Luchino Visconti.
Ai gjithashtu kompozoi muzikën për dy prej adaptimeve të ekranit të Shekspirit të Franco Zeffirelli-t, dhe për dy pjesët e para të trilogjisë “The Godfather” (Kumbara) të Francis Ford Coppola-s, duke fituar çmimin Oscar për komponimin më të mirë origjinal për The Godfather Part II (1974).
Marrëdhënia e punës mes Nino Rotës dhe regjisorit italian Federico Fellini, që filloi me filmin “Lo sceicco bianco” (Sheiku i Bardhë, 1952) dhe zgjati mbi njëzet e pesë vjet, deri te bashkëpunimi i fundit në “Prova d’orchestra” (Prova e orkestrës), mbetet vulë e përhershme e kinemtaografisë botërore.
Deri në fund të viteve të ‘70 të shekullit të kaluar Fellini, Rota, aktori Mastrojani dhe aktorja Cardinale ishin sinonime të filmit italian dhe yje ekuivalente me yjet e Hollywoodit.
Në Italinë dhe botën e Fellinit kishte vetëm një lloj muzike – muzika e Nino Rotës. Njeriu i përshkruar nga regjisori si ‘miku i tij magjik’ fisnikëroi muzikën në mënyra që mund ta bënte vetëm një muzikant me intuitë fëmijërore dhe vizion ëndërror me sofistikim shumë të lartë. Ai iu referua muzikës që Fellini njihte dhe e donte më së miri, duke përzier meloditë e vallëzimit me standardet amerikane dhe marshimet e cirkut.
Marrëdhënia e tyre u ndërtua si mbi miqësinë ashtu edhe mbi punën, dhe përfshinte edhe kryeveprën e vitit 1960 “La Dolce Vita” (Jeta e ëmbël), shpesh i konsideruar si një nga filmat më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Filmi shfaq shkëlqimin dhe magjepsjen e jetës në Romë, plot gëzim, humor dhe surrealizëm të madh.
Megjithatë, filmi ndërtohet mbi një temë të dualitetit, ndjenja e jetës së ëmbël “La dolce vita” është në kontrast me një rrymë të padukshme zbrazëtie dhe trishtimi.
Muzika e Nino Rotës mishëron një përzierje jashtëzakonisht të larmishme instrumentesh dhe stilesh të ndryshme, nga orkestrale, lounge, xhaz, pop, rock, muzika cirku, kërcim, klasike dhe referencat kulturore romake.
Është mbresëlënëse sesi Rota ndërthurte pa ndërprerje partiturën origjinale me përshtatjet e muzikës burimore për film, një praktikë e re që kompozitori do ta përsëriste në bashkëpunimet e mëvonshme me Fellinin.
Një tjetër pjesë interesante e partiturës – nëse jo më e rëndësishmja nga të gjitha – është muzika që kompozitori shkroi për skenën e famshme të fontanës “Trevi” me Marcello Mastroianni dhe Anita Ekberg. Është një skenë simbolike e një burri që i dorëzohet një prej virtyteve të jetës, teksa e sheh një grua duke u spërkatur në mënyrë joshëse në ujë, tepër të papërmbajtshme, një kapje perfekte e temës së dualitetit të filmit.
Më 1963, filmi “8½” (Tetë e gjysëm) i Federico Fellini-t, i përshkruar në atë kohë si një “film provokues për tregtinë e shtëpive të artit” me Marcello Mastroianni, Claudia Cardinale dhe Anuk Aimee u paraqit në kinemat botërore. Filmi mori dy Oskarë duke përfshirë filmin më të mirë në gjuhë të huaj.
Filmi tregon historinë e një regjisori që përpiqet të çlirohet nga kriza e tij artistike dhe personale, shpaloset në dy linja paralele, në të cilat realiteti përzihet me vizione fantastike. Ky meditim ekstravagant, vetë-analitik mbi dështimin për të bërë art dhe dashuri ishte edhe tregim për alter egon e vetë Fellinit. Muzika e Rotës e bën filmin koheziv. Partiturat e tij e fragmentizojnë pasigurinë dhe krizën artistike të personazhit kryesor, si dhe brishtësinë dhe djallëzimin e femrave tek të cilat ai kërkon ndihmë dhe ndjenjën e sigurisë.
Megjithatë, ishte me “Amarcord” (në përkthim të lirë – Kujtesa, 1973) që Fellini arriti famë universale.
Ajo festë e rinisë dhe e kujtesës në qytetin e lindjes të Fellinit, Rimini, kapërcen të gjitha barrierat e origjinës etnike dhe përkatësisë kombëtare, thjesht duke u bërë thirrje të përbashkëta njerëzore të kujtojmë pjesën më të mirë të jetës, fëmijërinë.
Në mënyrë të ngjashme, muzika e Nino Rotës, një pjesë integrale e këtij filmi, i shmang kufijtë kulturorë duke ndërthurur stile muzikore të mësuara dhe të njohura – si në një operë popullore në të cilën tregimet ose episodet shprehen përmes këngës dhe vallëzimit dhe përfaqësues të jetës së përditshme.
Duke vënë përballë muzikën dhe imazhet, personalitetin e tyre krijues dhe rininë e tyre, ndërsa lidhet me kujtimet tona kolektive, Fellini dhe Rota e bënë këtë film për “kujtimin e rinisë” një përvojë të paharrueshme për brezat e shikuesve dhe dëgjuesve në cilën do kohë.
Kur “Il Casanova di Federico Fellini” (Kasanova e Federiko Fellinit) doli në ekranet e mëdha në vitin 1976, Fellini ishte tashmë një nga regjisorët më të suksesshëm të gjeneratës së tij. Por, dy gjëra nuk kishin ndryshuar që nga ditët e tij të hershme, qëndrimi ëndërrimtar i filmave të tij dhe lidhja me Nino Rotën.
Gjatë kësaj kohe, një hark kohor prej mbi 25 vitesh, Fellini dhe Rota evoluan gjuhën e tyre dorë për dore.
Edhe pse Rota ishte tashmë një mjeshtër në zanatin e tij, në krahasim me Fellinin më të ri, lidhja e tyre simbiotike e krijuar nga tinguj dhe vizionet u zhvendos nga neorealizmi i orientuar drejt ëndrrave.
Rezultati për filmin e vitit 1976, i cili ofron pamjen hiperbolike të Felinit mbi biografinë “Histoire de ma vie” (Historia e jetës sime) të Giacomo Casanova, është me të vërtetë kulmi i përpjekjeve të Rotës në vizionet ëndërrimtare të mikut të tij Federico.
Çelësi i suksesit të kolonës zanore qëndron në të kuptuarit e kompozitorit dhe regjisorit se pavarësisht se filmi ishte vendosur në shekullin 18, ai nuk duhej trajtuar e as konsideruar si një opus historik. Në film shembet linja e demarkacionit midis asaj që është histori dhe asaj që është fantazi falë edhe muzikës së Nino Rotës.
Kjo ishte fryma që lëvizte kolonën zanore të Nino Rotës, i cili, megjithëse kompozoi muzikën para se të xhirohej filmi, gozhdon në mënyrë të përsosur atmosferat që Fellini synonte të evokonte.
Po aq ëndërrimtare, groteske dhe mekanike, kompozimet ofrojnë një pasqyrë të një Nino Rota të padëgjuar më parë, jo më një xhongler i cirkut dhe muzikës të popullarizuar, por një eksperimentues i shkëlqyer i muzikës elektronike.
Waltzer-ët nga trashëgimia e Bach-ut interpretohen me një piano elektrike, ndërsa motivi i një karioni, tipik për kulturën e shekullit 18, bëhet krejt papritur mekanik në komponimet si “L’uccello magico” (Zogu magjik) dhe “La poupée automate” (Kukulla e automatizuar), duke rritur dialogun e shqetësuar të filmit midis historisë dhe fantazisë.
Por Nino Rota ndoshta mbahet mend më së miri, veçanërisht në botën anglishtfolëse, për partiturat e dy filmave të parë “Godfather” (Kumbara), një trilogji e filmave amerikanë të krimit me regji të Francis Ford Coppola frymëzuar nga romani i vitit 1969 me të njëjtin emër nga autori italiano-amerikan Mario Puzo.
Filmat ndjekin historinë e familjes së trilluar mafioze italiano-amerikane Corleone, patriarku i së cilës, Vito Corleone, bëhet një figurë kryesore në krimin e organizuar amerikan.
Coppola e ftoi Nino Rotën për kolonë zanore edhe për shkak faktit se Rota kishte jetuar në Amerikë si bursist 19 vjeçar në Institutin Curtis të Filadelfias, mes viteve 1930 dhe 1932 ku mësoi dirigjimin dhe komponimin, dhe rrjedhimisht e dinte si funksionojnë familjet Italiane në Amerikë.
Filmi ndër më të vlerësuarit në historinë e kinematografisë me një plejadë artistësh shumica me prejardhje Italiane deri atëherë relativisht të panjohur, por të cilët përcaktojnë në njëfarë mënyre standardet e reja të regjisë, aktrimit, skenarit, komponimit për një gjysëm shekulli të ardhshëm, me regji të Francis Ford Copola, skenari Mario Puzzi, aktorët Marlon Brando, Al Pacino, Diane Keaton, Robert De Niro, James Caan, Rober Duvall,Talia Shire etj. Pra, ka shumë elementë ikonë të filmit “The Godfather”.
Disa janë rreshtat si “Unë do t’i bëj atij një ofertë që nuk mund ta refuzojë”, të tjerat janë imazhe si koka e kalit në shtrat, dhe shumë prej tyre janë muzikore, duke përfshirë temën vajtuese të luajtur nga një trumpetist solo që e hap filmin.
Historiani i muzikës së filmit Jon Burlingame argumenton se ato nota melankolike pikturojnë një portret muzikor të personazhit të kumbarit, Don Corleone, i luajtur në mënyrë të paharrueshme nga Marlon Brando.
“Kjo sjell një ndjenjë të izolimit të personazhit, si kryefamiljar, të gjitha vendimet e rëndësishme i bien atij. Ai është më i vjetër. Ai është i lodhur. Unë mendoj se rezultati ju sjell një ndjenjë të gjithë kësaj,” shpjegonte Burlingame.
Filmi nuk ishte tregim për gangstera në stereotipe çfarë bëheshin deri atëherë, filmi ishte për familjen, krimin e organizuar, kodin e nderit, gjakmarrjen me gjenerata, dashurinë, tradhtinë dhe urrejtjen. Të gjitha këto Nino Rota i shkroi, por jo në letër me shkronja, por në partitura me nota dhe fitohet përshtypja se nuk kemi nevojë me pa skena fare – mjafton muzika e Nino Rotës dhe e kemi të qartë ku jemi me emocione.
Një shfaqje speciale në Teatrin Dolby në Hollywood më 2022, i dha audiencës mundësinë të vlerësojnë saktësisht se sa shumë i sjell partitura e kompozitorit Nino Rota filmit tashmë klasik të Francis Ford Coppola. Një orkestër e plotë simfonike, e drejtuar nga Scott Terrell, performoi live partiturën gjatë shfaqjes së filmit.
“Ka shumë shkrime të pabesueshme në partiturë,” pat thënë atëbotë Scott Terrell dirigjent i famshëm.
“Motivi i hapjes së borisë është ogurzi i errët, por ajo që është me të vërtetë mbresëlënëse është se si ai ogur është endur përmes filmit si ind lidhës. Variacionet dhe ngjyrat e asaj melodie zhvillohen me zhvillimin e filmit”.
Instrumentimi është gjithashtu shumë i gjallë. Rota përdor një kombinim të fizarmonikës, mandolinës dhe kitarës për të krijuar një lloj tingulli kafeneje brenda orkestrës më të madhe. Në këtë mënyrë ai kap thelbin e një familjeje italiane. Ashtu si të gjithë kompozitorët e mëdhenj të filmit, Rota ishte i përshtatur me shkrimin e muzikës që shtonte diçka që nuk shihet në ekran përmes imazheve. Dhuna është aty në ekran. Veprimet ishin aty në ekran. Ajo që ai dha ishte një ndjenjë e trishtimit e historive familjare.
Historia e Nino Rotës në botën e filmit dhe raporti me Federico Fellinin ngjashëm si Ennio Morricone me Sergio Leonen ka shërbyer si model për të ardhmen e kompozitorëve klasikë dhe muzikës së tyre, dhe jo si një anomali magjepsëse.
Edhe pse komponoi kolona zanore për më së 200 filma, Rota nuk e humbi kurrë rrugën e tij me një melodi të shkëlqyer klasike dhe nuk e la mënjanë kontaktin e tij me një teksturë popullore.
Ndërsa muza e tij mund të jetë bërë kinemaja, e ndërmjetësuar më së miri nga shoqëria e tij tridhjetëvjeçare me Fellinin, krijimtaria e tij përfshin të gjitha format e muzikës koncertale dhe ai mbeti me vendosmëri dhe siguri në botën e konservatorit.
Rota ishte po ashtu kompozitor pjellor i muzikës kamertale, operave dhe pjesëve orkestrale. Në total ai prodhoi katër simfoni, dymbëdhjetë opera, pesë balete, tre koncerte për piano, tre koncerte për violonçelo, vepra të ndryshme korale dhe dhjetëra vepra kamertale.
Nino Rota lindi Giovanni Rota Rinaldi më 3 dhjetor 1911, në një familje muzikore në Milano, Itali.
Rota ishte një fëmijë gjeni, si paradhësit e tij në muzikë Mozart, Shopen dhe Bethoven.
Oratorio i tij i parë, një kompozim muzikor në shkallë të gjerë mbi një temë të shenjtë, për zëra solo, kor dhe orkestër “L’infanzia di San Giovanni Battista” (Fëmijëria e Shën Gjon Pagëzorit) u shkrua në moshën 11vjeçare dhe u interpretua në Milano dhe Paris qysh në vitin 1923.
Komedia e tij lirike me tre akte sipas Hans Christian Andersen, “Il Principe Porcaro” (Princi Porcaro) u kompozua kur ai ishte vetëm 13 vjeç dhe u botua në vitin 1926.
Rota vdiq në Romë më 10 prill 1979, në moshën 67 vjeç, nga një trombozë koronare. Federiko Fellini vdesë më 31 tetor 1993 në moshën 73 vjeçare pas një ataku kardiak. Marrëdhënia mes Fellinit dhe Rotës ishte aq e fortë sa në funeralin e Felinit, Giulietta Masina, gruaja e Felinit, i kërkoi trumpetistit Mauro Maur të luante “Improvviso dell’Angelo” (Engjulli i papritur) të Rotës në Bazilikën e Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, në Romë./Katror.info