Ruajtja e nxehtësisë nën tokë gjatë muajve të ngrohtë në Finlandë, kryesisht në rezervuare nëntokësore pritet të përdoret gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Ky proces mundësohet nga një strukturë moderne e krijuar për ruajtjen e “energjisë sezonale”.
Një objekt i madh për ruajtjen e energjisë termike është planifikuar të ndërtohet pranë Helsinkit, Finlandë, këtë verë. Është përshkruar si objekti më i madh i këtij lloji globalisht, duke tejkaluar të tjerët në madhësi dhe kapacitet me të gjitha masat. Objekti pritet të ruajë një sasi të konsiderueshme të energjisë termike, e mjaftueshme për të siguruar ngrohjen e një qyteti me madhësi mesatare gjatë gjithë sezonit të dimrit, shkruan Good News Network.
Sistemet e ngrohjes me shkëmbim termik zakonisht i referohen sistemeve që përdorin vetitë natyrore të shkëmbimit të nxehtësisë së tokës ose mjeteve të tjera për të rregulluar temperaturën.
Këto sisteme mund të nxjerrin nxehtësi nga toka gjatë muajve më të ftohtë për t’i ngrohur ndërtesat dhe shihen si mënyra më efektive e disponueshme për reduktimin e ndikimit klimatik gjatë ngrohjes apo ftohjes së shtëpisë.
Funksioni i tyre mbështetet në forcat natyrore ose riciklimin e energjisë për të ftohur ose ngrohur ujin dhe më pas duke e përdorur atë për të rrezatuar energji të nxehtë ose të ftohtë në një banesë.
Në Vantaa, qyteti i katërt më i madh i Finlandës, fqinj me kryeqytetin e Helsinkit, projekti ambicioz i ruajtjes sezonale të energjisë Varanto planifikon të ruajë nxehtësinë e lirë dhe miqësore me mjedisin e liruar nga qendrat e pajisjeve elektronike në shpellat nëntokësore.
Kjo nxehtësi e ruajtur do të përdoret gjatë muajve të ftohtë për të ngrohur ndërtesat përmes rrjetit të ngrohjes qendrore të qytetit, duke ofruar një zgjidhje efikase dhe të qëndrueshme për t’i mbajtur shtëpitë të ngrohta kur është e nevojshme, transmeton Katror Media.
Në Finlandë dhe në vendet e tjera nordike, konsumi i nxehtësisë ndryshon ndjeshëm midis stinëve. Konsumi i nxehtësisë në verë është vetëm rreth një e dhjeta e konsumit të ngarkesës maksimale gjatë muajve të ftohtë të dimrit.
Varanto do të përdorë shpella nëntokësore sa Madison Square Gardens, të mbushura me ujë të ngrohur nga nxehtësia e mbetjet elektronike. Presioni e mban ujin të nxehtë, duke arritur temperaturat deri në 150 gradë Celsius pa vluar apo avulluar.
“Bota po kalon një tranzicion të madh energjetik. Energjia e erës dhe diellore janë bërë teknologji jetike në tranzicionin nga lëndët djegëse fosile në energjinë e pastër”, thotë CEO i Vantaa Energy, Jukka Toivonen.
“Sfida më e madhe e tranzicionit të energjisë deri më tani ka qenë pamundësia për të ruajtur këto forma të ndërprera të energjisë për përdorim të mëvonshëm. Fatkeqësisht, zgjidhjet e ruajtjes në shkallë të vogël, të tilla si bateritë ose akumulatorët, nuk janë të mjaftueshme; nevojiten zgjidhje të mëdha magazinimi në shkallë industriale. Varanto është një shembull i shkëlqyer për këtë dhe ne jemi të lumtur të japim një shembull për pjesën tjetër të botës.”
Kapaciteti total termik i ruajtjes sezonale të energjisë termike plotësisht të ngarkuar është 90 gigavat-orë. Ky kapacitet mund të ngrohë një qytet finlandez të madhësisë së mesme për një vit. E ndarë në njësi më të vogla energjie, kjo sasi energjie është e barabartë me 1.3 milionë bateri makinash elektrike.
“Dy kaldaja elektrike 60 MW do të ndërtohen së bashku me Varanto”, shton Toivonen. “Këto kaldaja do të përdoren për të prodhuar ngrohje nga energjia elektrike e rinovueshme kur energjia elektrike është e bollshme dhe e lirë. Sistemi ynë i prodhimit të nxehtësisë do të funksionojë si një makinë hibride: duke alternuar energjinë elektrike dhe format e tjera të prodhimit, në varësi të asaj që është më e favorshme dhe efikase në atë kohë.”
Kostoja e projektit vlerësohet të jetë rreth 217 milionë dollarë (200 milionë euro) dhe tashmë i është dhënë një grant investimi prej 19 milionë eurosh nga Ministria e Çështjeve Ekonomike dhe Punësimit të Finlandës. Ndërtimi i hyrjes së depove pritet të nisë në verën e vitit 2024, ndërsa mund të jetë funksional që në vitin 2028.
Për më shume mund ta shihni videon e mëposhtme./Katror.info