Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin “Mbështetja për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve”.
Përmes kësaj Marrëveshje Ndërkombëtare, e cila u ratifikua nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të mbështeten fermerët dhe agrobizneset kosovare për grante në agroturizëm, ekoturizëm dhe zhvillim rural në vlerë prej 20.2 milionë Euro, prej të cilave 10.2 milionë Euro janë financim i Qeverisë Gjermane.
Ministri i Bujqësisë Faton Peci me këtë rast tha se “tërë ky besim ka ardhur si rezultat i angazhimit dhe prioritizimit të qartë të objektivave,” “andaj për vitin 2024 arritën t’i siguronin 10.2 milionë nga Qeveria Gjermane dhe 9.2 milionë grant nga Komisioni Evropian për investime e ngritje të kapaciteteve në sistemin e ujitjes për vitet e ardhshme.
“Ky grant do të ndikojë në zhvillimin e zonave rurale, përmes krijimit të mundësive të reja të punës ose vetëpunësimit dhe ruajtjen e vendeve të punës ekzistuese nëpërmjet zhvillimit të aktiviteteve të agrobiznesit, duke kontribuar kështu në qëndrueshmërinë e fermës dhe ngritjen e nivelit të aktivitetit ekonomik në po ato zona rurale”, shtoi Ministri Peci.
Propozimi në fjalë është iniciuar duke pasur parasysh përvojën e ndërtuar gjatë bashkëpunimit të MBPZHR dhe GIZ në kuadër të fondeve të zbatuara nga Qeveria Gjermane, e cila ka për qëllim diversifikimin e fermave dhe aktivitetet alternative në zonat rurale në Kosovë./Katror.info