Fermerët në rrethin e Gjakovës kanë nisur më herët se zakonisht fushatën e korrje-shirjeve të grurit, falë kushteve të favorshme klimatike që kanë mbretëruar ditëve të fundit, shkruan Katror.info.
Sipas drejtorit për Bujqësi në Komunën e Gjakovës, Gani Hajdari, ky vit po shënon rendimente të larta, me mesatarisht 5,500 deri në 6,000 kilogramë për hektar.
“Procesi po ecën mirë dhe prodhimi është i dukshëm në terren. Kjo është një arritje për fermerët tanë, edhe pse përballen me sfidën e çmimit të ulët për shitjen e grurit,” tha Hajdari për RTKlive.
Në këtë komunë pritet që këtë sezon të korren mbi 4,500 hektarë me grurë, një tregues pozitiv për sektorin bujqësor në rajon.
Megjithëse fermerët kanë shprehur shqetësime për çmimin e ulët të grurit në treg, ata mbeten optimistë për përkrahje institucionale dhe përmirësim të kushteve në të ardhmen. Për ta, rendimenti i mirë është një nxitje për të vazhduar punën dhe për të ruajtur rolin e rëndësishëm të bujqësisë në zhvillimin ekonomik lokal./Katror.info