Në Hot të Malësisë së Madhe u zhvillua ceremonia e përfundimit të punimeve për ringritjen e kullës së njohur të Çunmulajve dhe shndërrimin e saj në Muze të Malësisë. Fisi i Çunmulajve ka nxjerrë figura te shquara që kanë lënë gjurmë në historinë e kombit dhe Malësisë për përpjekjet e tyre në mbrojtje te identitetit dhe trojeve shqiptare, mes të cilëve shquhet prijësi dhe luftëtari popullor Çun Mula, pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Siç njofton nga Hoti i Malësisë së Madhe, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, Kulla e Çunmulajve u braktis dhe thuajse u rrënua gjatë periudhës së komunizmit, ndërsa trashëgimtarët e Çunmulajve u internuan dhe burgosen.
Ceremonia e përurimit të përfundimit të punimeve për ringritjen e Kullës së Çunmulajve dhe shndërrimin e saj në muze mblodhi në Hot të Malësisë së Madhe banorë të Malësisë, të Shkodrës, Tuzit e Trieshit si dhe përfaqësues të shqiptarëve të Amerikës, të cilët kontribuan për ringritjen e kullës. /Katror.info