Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, ka zbuluar se është duke përgatitur një album të ri dhe planifikon të nisë një turne ndërkombëtar në vitin 2026, pas një pauze të gjatë nga koncertet live.
Artistja e hitit Anywhere ka treguar se është e përkushtuar ndaj realizimit të albumit të saj të katërt në studio, pasi kohët e fundit është fokusuar në projekte të tjera të karrierës, siç janë angazhimet në film dhe televizion.
“Me siguri do të ketë një album. Jam shumë e përqendruar tek ky projekt dhe do të vij në një turne – nuk kam bërë një turne albumi që nga viti 2018”, u shpreh Rita gjatë një interviste për një radio në Melbourne.
Këngëtarja e njohur për hitin For You shtoi: “Karriera ime ka qenë shumë interesante. Kam punuar në film dhe TV, pra në një drejtim të jashtëm. Në vitin e ri do të fokusohem më shumë në veten time – për ta pastruar gjithçka dhe për të udhëhequr me qëllim.”
Rita konfirmoi gjithashtu se do të përfshijë Australinë dhe Zelandën e Re në turneun e saj, vende që i konsideron si shtëpi të dytë, pas martesës me regjisorin nga Zelanda e Re, Taika Waititi, në vitin 2022.
“Jam 100 për qind e sigurt që do të jem në turne në Australi, pastaj në Zelandë të Re dhe pastaj do të kthehem sërish – është si shtëpia ime e dytë,” tha 34-vjeçarja.
Përveç albumit dhe turneut, Rita ka zbuluar se do të publikojë edhe një dokumentar ekskluziv me pamje “nga prapaskena”, i cili përfshin tetë vjet materiale filmike të grumbulluara gjatë karrierës së saj.
“Kam filmuar veten për tetë vitet e fundit dhe një ditë do të më duhet ta përdor gjithë atë material,” tregoi këngëtarja për rubrikën Bizarre të gazetës The Sun on Sunday.
Ajo shtoi me humor: “Më ka ndodhur që të përmbyten dhomat e zhveshjes, që veshja të mos më arrijë me kohë. Ka pasur raste kur nuk kam pasur as grimere dhe më është dashur të fshihem pas syzeve të diellit.”/geo/Katror.info