Robbie Williams ka konfirmuar se do të rikthehet në skenë me një turne të ri muzikor, i cili do të nisë në Glasgow më 4 shkurt 2026, në Barrowlands Ballroom, për të promovuar albumin e tij të ardhshëm “Britpop”.
Ky turne, i quajtur Long 90’s Tour, do të vijojë më pas në Liverpool më 6 shkurt, O2 Academy në Londër më 8 shkurt dhe Wolverhampton më 9 shkurt.
Turneu u bë i ditur mbrëmjen e së enjtes, gjatë performancës së fundit të Williams për vitin 2025 në Camden, pas një serie koncertesh që përfshinte edhe shfaqjen madhështore në Murrayfield Stadium në Edinburg.
Fillimisht, albumi “Britpop” ishte planifikuar të publikohej më 10 tetor 2025, por u shty për në shkurt 2026 për arsye organizative.

Nëse arrin në vendin e parë të toplistave, do të jetë projekti i 16-të i Williams që kryeson klasifikimet, duke e vendosur atë përpara rekordit të The Beatles.
Në album marrin pjesë artistë të njohur si Chris Martin (Coldplay), Gaz Coombes (Supergrass), Tony Iommi (Black Sabbath) dhe Gary Barlow, ish-anëtari i Take That.
Kënga e katërt nga albumi, “Pretty Face”, u publikua të enjten, pas “Rocket”, “Spies” dhe “Human”.
Williams tha se “Britpop” është albumi që gjithmonë ka dashur të shkruajë në kulmin e karrierës së tij gjatë viteve ’90.
“Ishte epoka e artë e muzikës britanike. Ky album është më i papërpunuar, më me energji, me më shumë kitarra – se çdo gjë që kam bërë më parë. Ka shumë ‘Brit’, por edhe shumë ‘Pop’ aty brenda. Jam jashtëzakonisht krenar për këtë punë”.
Karriera e Williams u trajtua së fundmi në filmin “Better Man” (2024), ku ai huazoi zërin për një shimpanzë të animuar që e portretizon atë, si dhe në dokumentarin e Netflix (2023) që pasqyroi betejat e tij me varësinë dhe shëndetin mendor./AP/Katror.info