Kjo javë, si shumica e javëve të verës që kalojnë me zheg, konfuzion rreth agjendës së kusherijve nga diaspora dhe darsmave respektive, por edhe momente mahnitjeje me momente të papritshme, po vjen me një kalendar që s’ka nëj logjikë lineare, ama ka shumë zemër. Prej bjeshkëve të Junikut e deri te oborri universitar në Tiranë, prej ekspozitave në Marubi e deri te zhurma e Lavjerrsit, këto janë do ngjarje që ia vlen me i përjetu, qashtu qysh je, ku je, me qaq energji që ke.
Nëse je në krizë ekzistenciale, Anibar të kupton.
Nëse t’don zemra me përqafu identitetin në pik’ të verës, Gjakova po të pret.
Nëse do pak bjeshkë, kangë, tekstil dhe raki, Kah Drita e ka receptin.
Nëse do me tund krytë me rock e me harru krejt çka po ndodh, Hawolf osht zgjidhja.
Nëse don me kërcy prej dritës në terr, Lily’s e ka Sun2Moon.
Nëse je n’mood për qet’si dhe kujtesë, Pazari i Shkodrës në Marubi ka me t’dhonë shumë ma shumë se sa që mendon.
Nëse je për jazz nën yje, e ki Hemingway Fest në Tiranë.
Nëse je për pak barok në park, “Gloria” e Vivaldit ka me t’prek.
Edhe nëse veç do me vesh diçka që po flitet, Studio Pezull të ka gati.
Praaaaa, prej Pejës e deri n’Shkodër, prej Prishtinës n’Juniku, Prej PRizrenit deri n’Tiranë, prej pikëpytjes WTF? e der te buka me kryp e deri te festa: kjo javë nuk kërkon m’u kanë gati. Vetëm kërkon m’u kanë. Veç hajde. Qashtu qysh je.
Me marrë pjesë: Festivali i filmit të animuar ANIBAR / Pejë

Nga 14 deri më 20 korrik 2025, qyteti i Pejës shndërrohet prap në një laborator të animacionit, artit, muzikës dhe aktivizmit me edicionin e radhës të Anibar International Animation Festival. Por këtë vit, gjithçka osht pak ma ndryshe, ma e komplikume, ma e çuditshme, ma e vërtetë, për shkak temës apo pytjes që ANIBAR po e shtron. Tema e vitit 2025, e thjeshtë dhe tronditëse: “WTF?!”: një thirrje që osht njëkohësisht pyetje dhe protestë, një piskamë ndaj pasigurisë globale dhe emocioneve personale që po reflektojnë kohën tonë. Nëse ndihesh i/e hutum, i/e lodhun, i/e zemërum, i/e untë për kuptim: Anibar të pret. qashtu qysh je. WTF. Programi osht shumë i pasun që ju ndihmon me reflektu, kontemplu me filma dhe punëtori, ama edhe mu zbavit dhe tranu me Anibar afterparties me super muzikë.
Me festu: Festivali “Ditët e Shqiptarit” / Gjakovë
Në pik’ të verës, Gjakova po bohet nikoqire e edicionit të dytë të festivalit ku kultura shqiptare festohet me loçkë t’zemrës. Festivali Ditët e Shqiptarit rikthehet këtë vit me një program fun (Prej bendit Marigona e deri te BllaBllaBlla, prej Elina Dunit e deri te Eda Zari) dhe atmosferë që e bon qytetin taman me tregu dashninë e vet për muzikë, valle dhe bashkim kombëtar. Në datat 18-19 dhe 25-26 korrik, si dhe 01-02 dhe 08-09-10 gusht, Çarshia e Madhe bohet pikëtakimi i mijëra njerëzve që vijnë me përjetu një përzgjedhje të veçantë të artistave shqiptarë.
Me përjetu: Festivali “Kah Drita” / Junik

Qyky osht festival taman boutique, edhe i vogël, edhe i lezeçëm edhe me kauzë bujare me promovu turizmin rural, prodhime vendore dhe trashëgiminë e vjetër. Bash aty ku bjeshkët e Junikut prekin dritën e mëngjesit dhe ajri mbushet me aromën e barit e zanin e kangës, po rikthehet KAH DRITA, një festival që synon me pru atmosferë që ndërthur traditën, artin dhe bukurinë e natyrës, dhe mu bo pikëtakim i artistave, bjeshkatarëve, adhuruesve të muzikës dhe trashëgimisë kulturore nga të dy anët e kufirit Kosovë dhe Shqipni. Programi osht intrigues: Ka muzikë (Dren Abazi, ansambli Mirdita, BllaBllaBlla, eti), ka punëtori tekstilesh (Fight or Flight), ka mu pjek raki, ka me hangër mirë edhe ka edhe ecje në bjeshkë.
Me dëgju: Koncerti i bendit Hawolf / Lavjerrs. Prishtinë
Të premten me 18 korrik, mbramje kah ora 8, Lavjerrsi ka mi pru katër vllezën, në një skenë me na bo shumë zhurmë. Fjala osht për koncertin e Hawolf, një bend prej katër vllaznive që sjellin në skenë një energji koxha të papërmbajtshme dhe një za unik në skenën alternative vendore. Me një përziemje të metallit, rockut, me kapak folk, Hawolf se lajnë kërkon indiferent, edhe kanë pru diçka t’re në skenë.
Me kcy: Sesioni Sun2Moon / Lily’s, Prishtinë

Të shtundën në Lily’s, një lokal simpatik me super bashqe në lagjen Pejton, keni një sesion muzikor nga mesdita deri mesnatë, bashkë-organizum me kolektivin Kissmet. Muzikën e lshojnë emnat e mdhaj të skenës: Gemza, Uran B, Legoff, Trim. Super day po doket (edhe super night).
Me pa: Ekspozita “Pazari i Shkodrës: Ringjallja e një kujtese” / Muzeu Kombëtar Marubi, Shkodër
Nëse kaloni kah Shkodra këto javë, këqyreni këtë ekspozite unike që sjell për herë të parë në Shkodër koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit i gjejmë të ruajtuna në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit. Kurator osht Kim Knoppers. Në dialog me objekte nga fondi i etnografisë të Institutit të Antropologjisë dhe me imazhet e papublikume të arkivit Muzeut Marubi, ekspozita rrëfen historinë vizuale të një qendre tregtare që për shekuj ndikoi jetën kulturore dhe ekonomike të qytetit, Pazarit të Shkodrës Një hapsinë e veçantë i dedikohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, me punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane. Ekspozita hapet të premten, në ora 19:00.
Me dëgju: Hemingway Jazz Fest / Oborri i Korpusit Universitar, Tiranë

S’di a ju ka ra me pa lokalin Hemingway në Tiranë? Teper i lezetshëm, me kokteje t’mira, muzikë jazz ton kohën edhe enterier që i ngjan kafeve në Montmartre të Parisit apo nëj rruge në New Orleans. Hemingway organizon edhe një festival veror dedikum xhazit. Festvali mbahet me 20 & 21/07/2025, lokacioni i kësaj feste muzikore osht Oborri Universitar Politeknik i Tiranës, te Sheshi Nënë Tereza e yjet kryesore janë bendet prej Balkan Paradise Orchestra deri te bendi i vjetër i çka ka mbetë prej Blues Brothers.
Me dëgju: “Gloria” nga Vivaldi / Lulishtja e kryeministrisë, Tiranë
Rekomandimet e javë p’i përmbyllim me pak barok, jo pak po ndoshta njanën prej veprave ma të njohuna dhe të dashtuna: “Gloria” e Vivaldit, por intrepretume kësaj rradhe nën qiell të hapun nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (në bashkëpunim me Qendrën për Hapje dhe Dialog). Koncerti osht me 16 korrik në ora 20:00 te Lulishtja e kryeministrisë në Tiranë. Dirigjent Dritan Lumshi, mjeshtër Ingrid Pulizo, solistë: Marina Kurti, Amelda Pepa.
Mu vesh: Studio Pezull / Prizren
Qe një colab minimalist, urban, përshtatshëm për party ekspozitash e ecje trotuaresh nën vapë. Fjala osht për teshat e Pezull nga Prizreni, që i kemi vërejtë në hapjen e Autostrada Biennale por që po doken të përkryme nëse doni me vest diçka ma ndryshe, me stil të dekonstruum, inspirum nga (qysh thojnë vet) “transparenca dhe iluzioni”. Ngjyrat janë tokësore, detajet janë hiper-urbane, premja e gjanë, gjini-neutrale. Bash freskuese si look edhe si qëndrim në këtë vapë.
Marrë nga Suzanne Podcast/Katror.info.