Romani debutues i autores me prejardhje nga Kosova, Jehona Kicaj, është përzgjedhur në listën e gjatë për Çmimin Gjerman të Librit 2025, një nga çmimet më prestigjioze letrare në Evropë.
Romani i titulluar “ë” sjell një rrëfim të fuqishëm për luftën e Kosovës, përjetimet e dhimbshme të familjeve të shpërngulura, humbjen e njerëzve të dashur dhe përpjekjen për të gjetur një gjuhë dhe identitet të humbur. Titulli i romanit, i frymëzuar nga një germë unike e alfabetit shqip, bart simbolikën e një zëri të lënë pas, që kërkon të rikthehet.
Jehona Kicaj, e lindur në Kosovë më 1991 dhe e rritur në Gjermani, ka studiuar Letërsi Gjermane Moderne në Hannover. Me romanin e saj të parë ajo ka marrë vëmendjen e kritikës letrare, duke u renditur ndër 20 autorët e përzgjedhur nga mbi 200 tituj të propozuar nga 124 shtëpi botuese.
Më 16 shtator do të shpallet lista e shkurtër me gjashtë finalistët, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet më 13 tetor 2025, në hapjen e Panairit të Librit të Frankfurtit, në Kaisersaal të Römer-it, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt./Katror.info