Nga e shtuna më 26 nëntor, ju që udhëtoni me vetura në kryeqytet duhet të ndryshoni itinerarin. Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se rruga “Xhorxh Bush” do të mbyllet për qarkullim nga data 26 nëntor deri më 8 janar të vitit 2023.
Mbyllja e rrugës bëhet për shkak të dekorimit të qytetit për festat e fundvitit.
“Festat e fundvitit po afrojnë. Komuna e Prishtinës po fillon përgatitjet për dekorimin e qytetit, andaj ju njoftojmë se rruga “Xhorxh Bush”, duke filluar nga udhëkryqi i “Bill Klinton” deri në udhëkryqin e rrugës “Garibaldi”, do të jetë e mbyllur nga data 26 nëntor 2022 (duke filluar nga ora 05:00) deri më 8 janar 2023. Ju falënderojmë për mirëkuptim,” ka shkruar Komuna e Prishtinës në një postim në Facebook.
Nuk dihet ende se si do të jetë reagimi qytetar në lidhje me këtë vendim, meqë tollovia në trafik në Prishtinë ka bërë që ideja për zgjerimin e sheshit te Katedralja “Nënë Tereza” dhe rrjedhimisht mbyllja e rrugës për qarkullim për veturat të mos pritet mirë. /Katror.info