Islam Alijaj është tashmë një emër i njohur në gjithë Zvicrën, pas zgjedhjes së tij deputet në Parlamentin Federal (Dhoma Nacionale.
Ai ka qenë subjekt i shumë lajmeve, debateve dhe opinioneve në mediat qendrore të Zvicrës, në lidhje me zgjedhjet e 22 tetorit. Dhe, janë disa arsye për të qenë kështu. Në radhë të parë, zgjedhja deputet e një politikani me aftësi të kufizuara (rëndë), është vetvetiu një sfidë për opinionin: Islami, përveç vështirësive për të lëvizur, ka vështirësi edhe në të folur… Arsyeja tjetër që e ka vendosur në shtyllat e gazetave është prejardhja e tij: Alijaj është i pari deputet i Zvicrës, me prejardhje shqiptare, por edhe ballkanike, shkruan albinfo.ch.

Emri i tij “Islam” është po ashtu një “risi” që preokupon jo pak mediat, të cilat janë marrë me zgjedhjen e tij deputet.
Lidhur me këto dhe për sfidat para të cilave ndodhet deputeti i ri, Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me Islam Alijajn.
”Isha i tronditur dhe shumë i lumtur. Në rastin tim nuk bëhet fjalë vetëm për këto zgjedhje, por për një rrugëtim të gjatë nga djaloshi me aftësi të kufizuara rëndë, nga Kosova, i cili ndoqi shkollën speciale në moshën 16-vjeçare, deri në Parlamentin Federal (Dhoma Nacionale). Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe mezi pres sfidën e re”, është shprehur ai.
Ani pse me aftësi të veçanta, Alijaj sheh përtej përkufizimeve të jashtme, duke besuar në ambiciet dhe potencialin që ka çdo njëri përbrenda, e që shpesh kthehen në inspirim për të tjerët.
”Aftësia e kufizuar është gjë e neveritshme. E them me gjithë mend këtë. Por jam i bindur se çdo njeri mund të zhvillojë potencialin e tij, sado i vogël që të jetë. Dhe fakti që unë u zgjodha, mund t`u tregoj shumë njerëzve që janë në një situatë të ngjashme, se: Është e mundur, së bashku ne mund të ndryshojmë diçka në lidhje me situatën tonë për të mirë”, është shprehur ai.
Në të kaluarën Alijaj perceptohej kryesisht si aktivist për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, tani që ka marrur mandatin e deputetit, ai shpreson të jetë veçanërisht zëri i këtij komuniteti.
“Është suksesi i të gjithë njerëzve që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim. Shumë njerëz – veçanërisht ata me aftësi të kufizuara – kanë shpresa të mëdha për këto zgjedhje. Dhe unë do të bëj gjithçka për të mos i zhgënjyer…Për mua, gjithëpërfshirja (Inklusion) nuk është temë, por perspektivë. Ajo prek fusha të ndryshme të politikave, nga transporti te arsimi e deri te tregu i punës. Shikuar nga ky aspekt, unë do të merrem edhe me tema të ndryshme”, ka thënë ai.
Ai thotë se rolin e tij si deputet nacional e sheh edhe në drejtim të promovimit të integrimit, diversitetit dhe mundësive të barabarta brenda komunitetit shqiptar në Zvicër.
”Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbaj si deputeti i parë nacional i Zvicrës me rrënjë shqiptare. Për shkak të aftësive të kufizuara, në të kaluarën më perceptonin kryesisht si aktivist për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, por prejardhja ime sigurisht që do të luajë një rol edhe më të rëndësishëm në punën time politike në të ardhmen”, ka shtuar ai,

Alijaj dha edhe një mesazh sa i përket arsimit, politikës sociale dhe diversitetit kulturor në Zvicër.
” Ne duhet t’u qasemi disa problematikave të ndryshme në politikën arsimore. Shkollave duhet t’u jepen më shumë burime dhe të mund të ndërtojnë struktura më gjithëpërfshirëse në mënyrë që më shumë fëmijë që kanë probleme të mos dërgohen në klasa speciale. Fëmijët me prejardhje migrante dhe gjithashtu me aftësi të kufizuara vendosen në klasa të tilla speciale më shpesh se fëmijët e tjerë. Kur bëhet fjalë për politikat sociale, ne gjithashtu duhet të sigurojmë që të gjithë njerëzit të mund të zhvillojnë potencialin e tyre. Sistemi ynë shoqëror nuk pasqyron më realitetin e sotëm të punës. Shumë njerëz nuk janë më në gjendje të realizojnë kursime për pension. Kjo është një temë aktuale, veçanërisht për punëtorët me prejardhje migrante. Kur bëhet fjalë për diversitetin kulturor, do të doja të fokusohesha kryesisht në edukimin politik. Në veçanti njerëzit tanë duhet të ndërgjegjësohen për privilegjet që kanë me pasaportën zvicerane”, ka përfunduar ai. /Katror.info
Përgatiti:
