Nga viti 2019 e këndej, vlera e produkteve që Kosova ka eksportuar në shtetet anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), ka arritur në rreth 1.6 miliard euro. Përveç Kosovës, pjesë të CEFTA-s janë: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Njohësit e ekonomisë thonë se nga një industri e brishtë dhe relativisht e pazhvilluar prodhuese, Kosova sot është burim i produkteve cilësore, të cilat plasohen jo vetëm në tregjet e vendeve të CEFTA-s, por edhe më gjerë, në Bashkimin Evropian, në Shtetet e Bashkuara dhe në shtete të tjera”.
Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se të qenët pjesë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), i ka ndihmuar Kosovës të përmirësojë cilësinë e prodhimeve.
Si u aktualizua CEFTA?
Emri i saj është përmendur shpesh ditëve të fundit, pas kërkesës që iu bë Kosovës nga i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për heqje të ndalesës ndaj mallrave të prodhuara në Serbi, sepse një gjë e tillë është kundër parimeve të CEFTA-s.
Në këmbim, diplomati gjerman ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj, me fusnotë, dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)./Katror.info