Një ekip studiuesish nga Kanadaja dhe Kina ka arritur të krijojë një “veshkë universale”, e cila teorikisht mund të pranohet nga çdo pacient
Ky organ eksperimental i veshkës mbijetoi dhe funksionoi për disa ditë në trupin e një marrësi që ndodhej në gjendje vdekjeje truri, familja e të cilit kishte dhënë pëlqimin për pjesëmarrje në studim, sipas një kërkimi të botuar në revistën Nature Biomedical Engineering dhe të përcjellë nga Science Alert.
“Kjo është hera e parë që shohim diçka të tillë në një model njerëzor dhe na jep një pasqyrë të paçmueshme për mënyrën se si të përmirësojmë rezultatet afatgjata”, theksojnë ekspertët.
Aktualisht, njerëzit me grup gjaku O që kanë nevojë për transplant të veshkës zakonisht duhet të presin derisa të gjendet një organ nga një dhurues me të njëjtin grup gjaku. Kjo përbën më shumë se gjysmën e pacientëve në listat e pritjes, por pasi veshkat me grupin O mund të funksionojnë edhe te njerëzit me grupe të tjera gjaku, ato janë në sasi të kufizuar. Edhe pse sot është e mundur të transplantohet një veshkë me grup gjaku të ndryshëm duke “mësuar” sistemin imunitar të mos e refuzojë organin, ky proces është ende larg përsosmërisë dhe praktikisht mjaft i ndërlikuar.
Procedura është e gjatë, e kushtueshme dhe me rrezik, dhe kërkon dhurues të gjallë, pasi marrësi ka nevojë për kohë për përgatitje. Në këtë rast, studiuesit arritën të shndërrojnë me sukses një veshkë të grupit A në një veshkë të grupit O duke përdorur enzima të veçanta, të identifikuara më parë, që heqin molekulat e sheqerit (antigjenet) që shërbejnë si shenja dalluese të grupit A të gjakut, transmeton Telegrafi.
Studiuesit prodhuan kështu një veshkë të tipit O të konvertuar me anë të enzimave, gati për transplantim, dhe e krahasuan veprimin e këtyre enzimave me “gërshërë” që veprojnë në nivel molekular, duke prerë zinxhirët e antigjeneve të grupit A, ata e shndërrojnë organin në një gjendje pa antigjene A, B apo AB, karakteristikë kjo e grupit O.
“Është njësoj si të hiqet boja e kuqe nga një makinë dhe të zbulohet shtresa neutrale poshtë saj. Kur ndodh kjo, sistemi imunitar nuk e njeh më organin si trup të huaj”, shpjegojnë studiuesit.
Megjithatë, mbeten ende shumë sfida përpara se kjo metodë të testohet te njerëzit e gjallë. Në ditën e tretë, veshka filloi sërish të tregojë shenja të grupit A, çka shkaktoi një reagim imunitar, por ai ishte më i lehtë se zakonisht, dhe u vu re se trupi po përpiqej ta pranonte organin.
Shumë njerëz humbin jetën duke pritur për një transplant veshke, dhe shumica e tyre presin organ me grup gjaku O. Shkencëtarët po e adresojnë këtë problem në disa drejtime, përfshirë përdorimin e veshkave të derrave dhe zhvillimin e antitrupave të rinj. Zgjerimi i numrit të veshkave të përputhshme që këta pacientë mund të marrin mund të sjellë një ndryshim të madh.
“Kështu duket kur vitet e kërkimeve bazike shkencore përfundojnë duke u lidhur me kujdesin ndaj pacientëve. Të shohësh se si zbulimet tona po afrohen me ndikimin real në praktikë – kjo është ajo që na shtyn të ecim përpara”, përfundojnë studiuesit. /Telegrafi/Katror.info