Qytetarët shqiptarë nuk do të kenë më tarifa roaming kur të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian, brenda vitit tjetër.
Kështu ka premtuar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite zyrtare të zhvilluar në Tiranë, teksa po fliste në një konferencë shtypi me kryeministrin Edi Rama.
Duke dhënë shembullin e heqjes së tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit perëndimor, von der Leyen theksoi shembullin e mirë dhe marrëveshjen e arritur me operatorët e telefonisë celulare, sa u takon çështjeve të roaming.
“Vitin tjetër do të heqim gjithë tarifat e roaming mes Shqipërisë dhe BE-së, përmendi von der Leyen.
Në vizitën e saj në Tiranë, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi edhe një mbështetje prej gati 100 milionë eurosh për Shqipërinë, si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, ajo vlerësoi progresin e fortë të vendit në reformat kyçe dhe theksoi se plani ka potencialin të dyfishojë ekonomitë e rajonit brenda kësaj dekade.
“Plani i Rritjes ka potencialin që të dyfishojë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë dekadë. Ne shikojmë që tashmë ka filluar të japë rezultatet e saj, unë dua të jap tre shembuj koncize. Shembulli i parë është që ju keni bërë një progres shumë të fortë në reformat kyçe, në sajë të kësaj jam shumë e kënaqur që të njoftoj pothuajse 100 milionë euro sot”.
Von der Leyen shtoi se Shqipëria pritet të ketë akses në një fond total prej rreth 1 miliard eurosh në kuadër të Planit të Rritjes.
Në korrik të këtij viti, Shqipëria dorëzoi raportin e saj të konsoliduar për kuadrin Instrumenti për Reformë dhe Rritje (RGF), që mbulon periudhën tetor 2024 – qershor 2025.
Nga 41 hapa reformash, 38 janë përmbushur plotësisht, një pjesërisht dhe dy janë në progres, ndërkohë që 5 masa janë realizuar përpara afatit, zbulon Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI).
Raporti i dorëzuar përmban një progres të raportuar prej 222.6 milionë euro, ndarë mes financimit buxhetor direkt dhe Western Balkans Investment Framework (WBIF)./AP/Katror.info