Një baba i tre fëmijëve në Kitchener të Kanadasë, ka fituar një milion dollarë kanadeze në shortin Lotto Max më 18 tetor.
Gazmen Hashanit i është dashur të kontrollojë dy herë për t’u siguruar që i shihte gjërat saktë kur skanonte biletat e tij duke përdorur kontrolluesin e biletave, shkruan Global News.
“Bileta e fundit që kontrollova thoshte 1 milion dollarë”, shpjegoi 49-vjeçari.
“Nuk arrija ta besoja dhe e shikova edhe dy herë të tjera. Kur tha të njëjtën gjë, e futa shpejt biletën në xhep”.
Hashani shkoi në shtëpi dhe priti t’i vinte gruaja për ta ndarë lajmin.
“Kur i tregova se fitova 1 milion dollarë, filloi të dridhej,” tha ai. “Ajo ishte shumë e lumtur dhe e emocionuar për familjen tonë”.
Ai ka bërë të ditur se ka në plan të përdorë fitoren e tij të madhe për të bërë një paradhënie për një shtëpi.
“Trupi dhe mendja ime ndihen të qetë – një ndjenjë që nuk e kam përjetuar kurrë më parë”, tha ai./Katror.info