Nëse ndonjëherë jeni ndjerë më i qetë pas një shëtitjeje në park apo një ecjeje në pyll, nuk është thjesht përshtypje – është shkencë. Vetëm 20 minuta në natyrë mjaftojnë për të shkaktuar ndryshime të matshme në trupin tuaj: ulin hormonet e stresit, stabilizojnë rrahjet e zemrës, përmirësojnë presionin e gjakut dhe madje ndikojnë në shëndetin e zorrëve.
Nuk është e nevojshme një shëtitje e gjatë në mal – edhe një pushim i shkurtër gjatë drekës në një park pranë shtëpisë apo punës është i mjaftueshëm për të përfituar këto efekte pozitive. Ja katër mënyra sesi natyra përmirëson shëndetin tonë:
Relaksoheni pa e kuptuar
Kur shihni gjelbërim, dëgjoni cicërimat e zogjve ose ndjeni erën e pemëve, sistemi nervor autonom – ai që kontrollon proceset automatike në trup reagon menjëherë duke ulur stresin.
“Shohim ndryshime në trup si ulje të presionit të gjakut, ngadalësim të rrahjeve të zemrës dhe rritje të variabilitetit të rrahjeve kardiake – të gjitha shenja të qetësimit fiziologjik”, shpjegon baronesha Kathy Willis, profesoreshë e biodiversitetit në Universitetin e Oksfordit.
Një studim në Mbretërinë e Bashkuar me rreth 20 mijë njerëz tregoi se ata që kalonin të paktën 120 minuta në javë në natyrë, raportonin shëndet më të mirë fizik dhe emocional. Për këtë arsye, shumë vende kanë filluar të përdorin “recetën e gjelbër” – dërgimin e njerëzve në natyrë si trajtim për shëndetin mendor dhe fizik.
Ri balancohen hormonet
Edhe sistemi hormonal pushon nga tensioni në natyrë. Të qenit jashtë ul nivelin e kortizolit dhe adrenalinës – hormonet e stresit.
Në një studim, njerëzit që qëndruan për tre ditë në një dhomë hoteli ku thithnin vajin Hinoki (pishe japoneze) patën ulje të madhe të adrenalinës dhe rritje të “qelizave natyrale vrasëse” – qeliza që luftojnë viruset në trup.
Fuqia e nuhatjes
Nuk është vetëm ajo që shihni apo dëgjoni në natyrë – aromat gjithashtu kanë ndikim të madh. Përbërjet organike të lëshuara nga bimët dhe toka hyjnë në qarkullimin e gjakut përmes frymëmarrjes.
Era e pishave, për shembull, mund t’ju qetësojë për vetëm 90 sekonda, dhe efekti zgjat deri në 10 minuta. Edhe foshnjat që nuk kanë kujtime apo asociacione me aromat qetësoheshin kur ekspozoheshin ndaj një arome relaksuese si limoneni – tregoi një studim.
Forcon shëndetin e zorrëve
Natyra është e mbushur me baktere të mira që ndikojnë pozitivisht në sistemin tonë të tretjes dhe imunitetin. Duke prekur tokën apo duke u marrë me bimë, bakteret e mira hyjnë në trup.
“Janë të njëjtat baktere që ne paguajmë për t’i blerë si probiotikë”, thotë Willis.
Bimët gjithashtu lëshojnë fitoncide – substanca natyrore antibakteriale që mund të ndihmojnë trupin të luftojë sëmundjet.
Nëse nuk keni mundësi të shkoni shpesh në pyll apo në park, ka mënyra të thjeshta për të sjellë natyrën në shtëpi: mbani lule në dhomë – trëndafilat e bardhë ose të verdhë janë veçanërisht qetësues, përdorni difuzor me vaj esencial pishe për relaksim, apo shikoni nga dritarja çdo ditë drejt hapësirave të gjelbra, nëse është e mundur./Katror,info