Në konkurrencë me dy kore nga Indonezia dhe një nga Tajlanda, “Siparantum” ia ka dalë të kualifikohet për “Grand Prix” në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë. Një vepër vendore dhe një ndërkombëtare kanë bërë që Kori nga Kosova ta bindë jurinë se e dominojnë kategorinë “Mixed Adult Choirs” dhe se janë pretendentë për atë që është Çmimi i Madh.
“Rrugëtimi ynë në Bangkok po vazhdon me sukses: Pas garës në kategorinë “Mixed Adult Choirs” u kualifikuam për “Grand Prix”. Me të njëjtin vullnet dhe përkushtim vazhdojmë nesër garën për Çmimin e Madh. Synojmë edhe një medalje për Kosovën,” ka shkruar Kori Siparantum në Facebook.
“Amor io fallo” e kompozitorit belg, Jan Van der Roost, që flet për dhunën ndaj grave dhe “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e Baki Jasharit që zbërthen shtypjen e përpjekjen për liri, qenë ato që ua hapën dyert anëtarëve të formacionit të vetëm koral nga Evropa në edicionin e dytë të Festivalit, shkruan Koha.