Në ora 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e vendvotimit, të cilat kanë qenë të hapura që nga ora 07:00.
Tre televizionet nacionale, T7, Klan Kosova dhe TV Dukagjini kanë publikuar rezultatet e votimeve duke treguar se cilat komuna kanë fitues që nga raundi i parë dhe cilat do të shkojnë në balotazh.
Sipas sondazheve të exit poll-eve në këto televizione, më poshtë paraqiten rezultatet paraprake për kandidatët për kryetarë komunash në mbarë vendin.
Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje pritet të përballen në balotazhin e 9 nëntorit për udhëheqjen e Prishtinës.
Kështu thuhet në exit poll-et e publikuara nga Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7. Sipas këtyre parashikimeve, Rama ka një epërsi të vogël ndaj Çekut.
Kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj nga PDK dhe kandidati i VV-së Artan Abrashi, do të përballen në rundin e balotazhit.
Kryetari aktual i Ferizajt, Agim Aliu nga PDK parashikohet që ta fitojë edhe një mandat, që në rundin e parë.
Kandidati i LVV, Alban Hyseni, kryeson në garën për kryetar të Komunës së Gjilanit, duke lënë pas kandidatin e LDK-së, Arber Ismajli.
Kandidati i LDK, Gazmend Muhaxheri, është në epërsi të qartë në garën për kryetar të Pejës.
Në Gjakovë, sipas të dhënave, prin Ardian Gjini duke lënë pas kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola.
Ndërkaq në Podujevë, sipas exit pollit të T7, do të ketë balotazh, por sipas UBO Consulting në TV Dukagjini, Shpejtim Bulliqi është në epërsi.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti, pritet të fitojë në rund të parë komunën e Lipjanit.
Në Komunën e Fushë Kosovës do të ketë balotazh mes Valon Prebrezës së LVV-së dhe Besnik Osmanit të LDK-së./Katror.info.