Një studim i fundit i kryer nga British Standards Institution (BSI) ka zbuluar se 46% e të rinjve britanikë të moshës 16 deri në 21 vjeç do të preferonin një botë pa internet. Ky rezultat pasqyron shqetësimet në rritje për ndikimin negativ të jetës online në mirëqenien e të rinjve.
Sipas studimit, rreth 70% e të rinjve ndihen më keq me veten pas përdorimit të rrjeteve sociale, ndërsa 50% mbështesin vendosjen e kufizimeve digjitale për të kufizuar përdorimin e aplikacioneve pas orës 22:00, përcjell Katror.info.
Një numër i konsiderueshëm i të rinjve kanë pranuar sjellje të rrezikshme ose mashtruese në internet: 42% kanë gënjyer për moshën e tyre, po aq kanë fshehur aktivitetet e tyre online nga kujdestarët, 40% kanë përdorur llogari të përkohshme, dhe 27% kanë pretenduar të jenë dikush tjetër.
Pandemia ka rritur kohën e kaluar online për 75% të të anketuarve, me 68% që raportojnë efekte negative në shëndetin e tyre mendor.
Ekspertët bëjnë thirrje për masa më të forta për sigurinë në internet. Rani Govender nga NSPCC thekson se kufizimet e vetme nuk mjaftojnë dhe nënvizon nevojën për platforma më të sigurta dhe më pak të varësuese. Andy Burrows, një avokat për parandalimin e vetëvrasjeve, thekson se algoritmet që promovojnë përmbajtje të dëmshme kërkojnë reforma urgjente rregullatore për të prioritizuar sigurinë e fëmijëve mbi interesat e kompanive teknologjike, shkruan The Guardian.
Qeveria britanike po shqyrton vendosjen e kufizimeve të detyrueshme për aplikacionet për të adresuar këto shqetësime. /Katror.info
Përgatiti:
