Sonte, më 19 korrik, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, publiku ka mundësinë të përjetojë një nga netët më të veçanta muzikore të vitit.
Armend Rexhepagiqi rikthehet në skenë me koncertin e shumëpritur “Dashni e vjetër”, një event që shënon jo vetëm një udhëtim emocional nëpër hite të njohura, por edhe promovimin zyrtar të albumit të tij të ri me të njëjtin titull, raporton Katror.info.
Kantautori legjendar, i njohur për thellësinë në tekst dhe meloditë që qëndrojnë në kohë, do të interpretojë këngë të reja nga albumi, si: Kutia e zezë, Boll m’ke dalë, Dyfish ma pak, S’o dashni, Ma ke n’alë dhe Krejt Prishtinën për ditëlindje.
Koncerti pritet të jetë një celebrim i muzikës shqipe, me një repertor që do të përfshijë edhe këngët më të dashura të artistit si “Dashurinë ku e kam”, “Ti nuk më meriton” dhe “Shkel” – këngë që kanë lënë gjurmë të thella në shpirtin e dëgjuesve.
Ky koncert është një nga paraqitjet e rralla live të Rexhepagiqit, që gjithmonë sjell emocione, elegancë dhe një stil të pazëvendësueshëm artistik./Katror.info