“Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”, është kjo nga thëniet më të bukura e Nënë Terezës, e cila na ndjek kudo.
E sot Kosova shënon Ditën e Humanizmit, që përkon me ditën e shkuarjes në amshim të humanistes shqiptare, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Shën Tereza. Qeveria e Kosovës mori vendim për këtë ditë në shtator të vitit 2022 në shenjë respekti dhe përkujtimi të vazhdueshëm nga Republika e Kosovës për Nënën Terezë.
“Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës…” është kjo një thënie tjetër e Nënë Terezës, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Ajo ka lindur më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup.
Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
“Në Ditën e Humanizmit, nderojmë jo vetëm jetën dhe trashëgiminë e një gruaje të jashtëzakonshme, por edhe vlerat që ajo mishëroi – dhembshurinë, dashurinë dhe shërbimin ndaj njerëzimit. Nëna jonë Terezë mbetet një fanarë dhembshurie, përulësie dhe shërbimi vetëmohues ndaj njerëzimit. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, me krenari e identifikoi veten si shqiptare, ndaj vepra e saj jetësore gjithnjë na mbushë zemrat me krenari e frymëzim,” tha presidentja Vjosa Osmani në një postim në Facebook.
“Përkushtimi i Nënë Terezës për më të varfrit, besimi i saj i palëkundur dhe dashuria për njerëzit, pavarësisht nga prejardhja e tyre, duhet të jenë udhërrëfyes për një botë më humane. Në 27 vjetorin e ikjes në amshim e kujtojmë me respekt dhe jemi krenar që botës i dhamë nënën më të madhe që njohu njerëzimi, Gonxhe Bojaxhiun, të Shenjtën Terezë.”
Shën Tereza ishte nënë kujdestare e 7 mijë e 500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47 mijë viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3mijë e 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.
Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80, dhe deri sa Shën Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.
Shën Tereza ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë.
Papa Françesku më 4 korrik të vitit 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit ka shpallur Nënë Terezën, si Shën Tereza./Katror.info