Studentja e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës u shpall fituese e disa çmimeve në garën ndërkombëtare të mbështetur nën patronazhin e Presidencës së Italisë International Music Competition for Youth “Dinu Lipatti” në Taranto, Itali.
Kështu njoftoi Universiteti i Prishtinës në rrjetin social Facebook.
“Studentja Melisa Ibrahimi mori pjesë në “International Dinu Lipatti Music Competition” në Taranto të Italisë. Gara është i një niveli të lartë, i mbështetur dhe nën patronazhin e Presidencës së Italisë. Gara kishte tre faza. Jemi krenarë të ndajmë që Melisa jo vetëm që doli në gjysmëfinale, por edhe triumfoi në finale, duke marrë çmime të shumta:
Këtu janë arritjet e saj të jashtëzakonshme:
Vendi i parë në seksionin e pianos;
Fituese e “Çmimit Absolut”;
Vendi i tretë “Absolut”.
Medaljen/ Dekoratën e garës e ka pranuar nga Këshilli i Ministrave i Presidencës së Italisë dhe ky është një sukses i jashtëzakonshëm dhe për herë të parë në historinë e Kosovës.
Por suksesi nuk mbaron me kaq! Me 25 tetor, Melisa Ibrahimi dhe profesoresha e saj, prof. Alberta Troni, vazhduan të shkëlqejnë në “Debussy International Music Competition”.
Profesoresha Alberta Troni shpallet fituese e “Teacher Award” për ekselencë në mentorim dhe kontribut të shquar.
Studentja e UP-së, Melisa Ibrahimi arriti të fitojë vendin e parë “Absolut First Prize” 100/100 pikë dhe çmimin special “Art of Musical Interpretation for exceptional interpreting and performing”.
Profesoresha Troni dhe studentja Ibrahimi do të vazhdojnë suksesin e tyre në një prezantim dinjitoz të universitetit muajin e ardhshëm, ku do të realizojnë një koncert solo në Romë të Italisë, si studente në klasën e prof. Alberta Troni, si pjesë e serisë së koncerteve të asociacionit italian Musicopaideia“, thuhet në njoftim./Katror.info