Përfaqësuesja e Kosovës është ngjitur për shtatë pozita falë sukseseve të arritura në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.
Më 10 dhe 13 tetor, Kosova barazoi pa gola në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me Slloveninë, ndërsa fitoi 1:0 në Goteborg ndaj Suedisë.
Katër pikët e fituara të Kosovës kanë bërë që Kosova të ngjitet nga pozita e 91-të sa ishte në renditjen e fundit të publikuar nga FIFA, në 84 me renditjen e re të publikuar të premten. Është edhe renditja më e mirë e Kosovës deri tani.
Ndërkohë, Suedia është përfaqësuesja që ka humbur më së shumti pikë në këtë listë. Suedia ka rënë për tetë pozita pas humbjeve të pësuara nga Kosova dhe Zvicra.
Për shkak të suksesit në Leskovc më 11 tetor ndaj Serbisë, Shqipëria ka shënuar ngritje po ashtu.
Shqipëria e mposhti Serbinë 1:0, ndërsa tri ditë më vonë fitoi në miqësore ndaj Jordanisë në Tiranë, 4:2.
Shqipëria tani zë vendin e 61-të në ranglistën e FIFA-s, duke shënuar ngjitje prej pesë pozitave.
Renditja e re e FIFA-s do të publikohet më 21 nëntor./KOHA/Katror.info