Ferrari është “plotësisht në rrugën e duhur” me supermakinën e tij elektrike që do të zbulohet në tremujorin e katërt të 2025-ës, tha shefi ekzekutiv Benedetto Vigna të premten në Javën Italiane të Teknologjisë në Torino.
Lajmi u bë i ditur nga kompania mediatike “Bloomberg”.
Prodhuesi i makinave në Maranello, me bazë në Itali, do të mbështetet në disa “partnerë të pazakontë” për të zhvilluar automjetin e ri, shtoi Vigna në një intervistë, pa dhënë detaje.
Hedhja në treg e supermakinës elektrike të Ferrari-t vjen në një moment sfidues për sektorin e automobilave të nivelit të lartë, i cili po punon për të ulur emetimet, ndërsa kërkesa për makina elektrike po ulet.
Ndërkohë, avantazhi i Kinës në qelizat e baterive është duke e bërë më sfidues tranzicionin e Evropës drejt automjeteve më të pastra.
Shfaqja e automjeteve elektrike kineze duhet të jetë një thirrje zgjimi për sektorin evropian të automjeteve, theksoi Vigna në një intervistë për televizionin Bloomberg në maj.
Vigna, një ish-ekzekutiv në prodhuesin e çipave STMicroelectronics NV, filloi të formësonte tranzicionin elektrik të Ferrarit menjëherë pasi u bashkua në 2021.
Gjithsesi, çdo zhvendosje drejt modeleve elektrike përfaqëson një ekuilibër delikat për Ferrarin, pasi blerësit më të rinj anojnë nga EV-ja, por shumë klientë të vendosur nuk duan të heqin dorë nga zhurma e markës ikonë të makinave sportive./Katror.info