Përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, partnerëve për zhvillim dhe autoriteteve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën sot në Takimin e Koordinimit të Donatorëve për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB), të organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në bashkëpunim me Komisionin Evropian.
Takimi pason Takimin e Dytë Ministror për Agjendën e Gjelbër, ku ministrat e mjedisit miratuan Deklaratën e Dubrovnikut, Planin e Rishikuar të Veprimit 2025–2030 dhe Udhërrëfyesin e Përshtatjes Klimatike për rajonin. Dokumentet përcaktojnë prioritetet për një tranzicion të gjelbër, të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Në hapje të takimit, Danijela Gačević, Drejtuese e Departamentit të Programeve të RCC-së, theksoi se angazhimet politike duhet të përkthehen në veprime konkrete dhe investime të koordinuara. Ajo prezantoi hartën rajonale të donatorëve, që përfshin 88 projekte të financuara nga 32 partnerë ndërkombëtarë, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit për të shmangur mbivendosjet.
Nga ana e tij, Holger Schroeder, përfaqësues i Komisionit Evropian, konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për zbatimin e Agjendës së Gjelbër, duke e cilësuar atë si një urë bashkëpunimi midis Ballkanit Perëndimor dhe Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane. Ai vlerësoi përpjekjet e RCC-së për zhvillimin e mjeteve praktike që rrisin transparencën dhe bashkërendimin e investimeve.
Në vijim të takimit, ministrat e mjedisit të rajonit do të paraqesin nevojat prioritare për investime dhe boshllëqet në financim, ndërsa pjesëmarrësit do të njihen me Observatorin GAWB, një platformë digjitale që pritet të lehtësojë ndjekjen dhe koordinimin e projekteve të gjelbra.
Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e nisur në Samitin e Procesit të Berlinit 2020 në Sofje, synon të përafrojë rajonin me Marrëveshjen e Gjelbër të Bashkimit Evropian dhe të nxisë neutralitetin klimatik, rritjen e qëndrueshme dhe mbrojtjen e mjedisit./RTK/Katror.info