Sot fillojnë Lojërat Paralimpike “Parisi 2024”.
Mbi 4400 sportistë me aftësi të kufizuara do të garojnë në 22 sporte të ndryshme. Sipas traditës, Lojërat Paralimpike mbahen pak ditë pas Lojërave Olimpike, ndërsa shfrytëzohen arenat e njëjta.
Rekorde të shumta do të vendosen në Paris, ndërsa tashmë disa vetëm janë vendosur. Do të jenë 168 delegacione, që është rekord. Pos 167 ekipeve nacionale paralimpike, do të jetë edhe një ekip prej tetë paralimpistëve refugjatë. Ndërkohë do të jenë edhe 98 paralimpistë neutralë, 90 nga Rusia dhe tetë nga Bjellorusia, shkruan Koha.
Numri prej 168 delegacioneve kalon rekordin prej 164 që ishte vendosur në Londër në vitin 2012 dhe në Tokio në vitin 2020.
Më së shumti pjesëmarrës kishte në Tokio në vitin 2021 – plot 4393 paralimpistë.
Kosova është njëra prej tri vendeve që debutojnë në Lojërat Olimpike.
Grevist Bytyqi, po shkruan historinë e Kosovës duke u bërë paraatleti i parë që merr pjesë në Lojërat Paralimpike, të cilat zhvillohen në Paris nga 28 gusht deri më 8 shtator. Ai bart flamurin kosovar duke shpërfaqur jo vetëm një arritje të madhe sportive për Kosovën, por edhe një dëshmi të fuqisë njerëzore për të kapërcyer çdo pengesë.
“Ne do të përfaqësohemi me paraatletin tonë Grevist Bytyqi, që do të garojë më datën 31 gusht në disiplinën e atletikës në vrapim dhe po uroj që gjithçka do të shkojë mirë dhe të na sjellë rezultate, por mbi të gjitha të jetë me me kriteret dhe me standardat fair-play dhe ajo është medalja më e mirë prezantimi që do ta bartë mbi supe sportisti, paraatleti ynë, Grevist Bytyqi,” tha për Katror, presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini.
Në kët lojëra debutojnë edhe Eritrea dhe Kiribati.
Numri i paralimpisteve po ashtu është rekord – 1983. 45 për qind e pjesëmarrësve janë paralimpiste./Katror.info