Të gjesh të shenjtën brenda njerëzve të zakonshëm ka të bëjë me njohjen e së jashtëzakonshmes brenda së përditshmes, shkëndijës hyjnore që banon në secilin prej nesh.
Dhe këtë e ka sjellë përmes ekspozitës së tij “Të shenjtit e rëndomtë” artisti Burim Myftiu, duke vënë në fokus fotografinë e Madonës, një nënë me dy fëmijë, që e takoi rastësisht në një tramvaj në Milano, por brenda saj e pa shenjtërinë.
“Tregimi i Madonës është shumë interesant dhe fotografia e parë që unë e ndjeva nevojën që ta përshkruaj me fjalë, sepse është një pamje sikurse biblike, sikurse e Madonës ndoshta është edhe paraqitja e Madonës, sepse ajo foshnja e fjetur, në gjoksin e nënës, shikimi i saj anash, duart sikur të Monalizës, m’i përkujtuan ato ikonat e shekullit të mesëm, nëpërmjet të cilave shprehen njerëz të shenjtë. Prej aty, prej asaj fotografie, filloi edhe iniciativa me Shkëlzenin, për të bërë një ekspozitë, një përmbledhje, dhe e realizuam një ekspozitë modeste duke rikujtuar kohërat kur Hani i 2 Robertëve ishte një prej institucioneve që e mbante gjallë artin në Kosovë gjatë okupimit prej Serbisë,” thotë ai.
Myftiu ka sjellë fotografi të artistëve si Petrit Halilaj, Ferdi Limani, Petrir Çeku, por edhe të njerëzve të rëndomtë. Kuratori Shkëlzen Maliqi e vlerëson lart punën e artistit, duke potencuar se fuqia e artit është të gjejë të jashtëzakonshmen te e rëndomta.
“Pikënisja është ajo Madona, një përjetim i çuditshëm, e edhe vetë teksti. Janë fotografi interesante, sepse me temë ajo çudia e përditshmërisë, sepse ajo Madona me një tramvaj në Milano, dhe është tregimi i tij në këtë pllakatën që e kemi shtypur dhe tregon se edhe njerëzit ordinerë dhe artistët e thjeshtë, sikur që është Petrit Halilaj, Fredi Limani, Petrit Çeku përbëjnë diçka se të shenjtit nuk janë vetëm ata që kanë flijuar, por në fotografi dalin si njerëz të jashtëzakonshëm, thjesht e kemi dashtë me paraqit edhe fotografinë artistikë si një medium që jep vepra të fuqishme,” shprehet Maliqi.
Artistja Eliza Hoxha, vlerëson se ekspozita përçon një energji pozitive.
“Nëse flasim për këtë ekspozitë, duke e njohur punën e Burimit, punën fantastike që ai bën, në vendet e ndryshme, kado që shkon, e para vazhdoj me vlerësu që mbetet ithtar besnik bardh e zi, përkundër që në fotografitë e tij ka shumë ngjyrime, shumë emocione, dhe kjo ekspozitë sot i sjell po ato. I sjell njerëzit e rëndomtë, në dimensione engjëllore, në energji që jo të gjithë njerëzit i kanë, por ata që i kanë dinë të na rrëmbejnë, të na fusin në vorbullin e vet, të na japin shumë më shumë nga vetja, dhe të na ushqejnë me atë energji për të na përndrit dhe për të na bërë edhe neve njerëz më të mirë, e më të lumtur, ” shprehet Hoxha.
Artisti Burim Myftiu mendon se nuk duhet të fokusohemi te gjërat e mëdha, meqë e madhërishmja gjendet në gjërat e vogla.
“Unë fotografinë e përdor si bazë për artin tim, kohë pas kohe bëj instalacione, performanca, video, por kjo ekspozitë bazohet në fotografi monokromatike. Është e vogël, por shumë e veçantë për mua. Gjërat e mira fillojnë prej vendeve të vogla, prej bazës, prej ku jemi të gjithë, nuk duhet ndonjë glorifikim, një diçka e madhe që të bëhet një diçka e madhe. Çdo gjë në histori, ka filluar prej ndonjë fshati, një vendi të vogël, ashtu filloi edhe Petrit (Halilaj), ai buroi si ujë, në Runik, dhe pastaj u bashkua me përrockë, me lumenj, me detra e u bashkua me oqean,” thotë ai.
Ekspozita është hapur në kafe galerinë Hani i 2 Robertëve, vendi i rezistencës së artit në vitet e ’90-ta dhe është e pesta në serinë e këtyre ekspozitave, që synojë rikthimin e Hanit të 2 Robertëve. E pikërisht kjo i gëzon dashamirët e artit dhe vetë autorin e ekspozitës.
“Më gëzon fakti që Hani e vazhdon traditën që e ka ndërtu në një kohë të pakohë për shqiptarët e Kosovës, si një galeri që i ka mbijetuar edhe viteve të 90-ta, por edhe sot, e dyta që sjell edhe njerëz të rinj, por edhe njerëz të etabluar mirë, është hapësirë promovimi për ata që kanë nisur punën, dhe hapësirë reprezentimi për shumë të tjerë. Herë pas herë mendoj se është shumë e rëndësishme me iu rikthy, edhe punëve që i kanë, por edhe ne si gjenerata që i kalojmë, me i pa në një dritë tjetër, por edhe gjeneratat e reja që nuk i kanë parë punët e artistëve që janë tash e sa vite në skenë,” shprehet Eliza Hoxha.
Fatmir Hadri, kameraman shumëvjeçar e kujton kështu Hanin e 2 Robertëve.
“Hani i 2 Robertëve ku është kjo ekspozitë, është lokal i vogël, dhe me pak këto punime ai ka tregu se është artist shumë i mirë. Hani i 2 Robertëve ka një histori shumë më përpara në të 90-tat ku nuk ka pasur institucione të Kosovës, kanë qenë të mbyllura, dhe artistët kanë ekspozuar këtu ose te Kafe Galeria Koha, vend ku artistët kanë qenë prezent. Tradita ka vazhduar edhe më tutje,” tha Hadri.
Ndërsa Burim Myftiu na rikujton se secili brenda vetes mund të kemi një pjesë të së shenjtës, Hani i 2 Robertëve mban dyert dhe zemrën hapur për dashamirët e artit, dhe jo vetëm./Katror.info