Të premten, më 17 tetor, në orën 20:00 në Teatrin e Qytetit në Gjilan, do të jepet premiera e shfaqjes “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”, një bashkëprodhim i Qendrës Multimedia dhe `The Market Theatre` nga Afrika e Jugut.
Shfaqja është ndërtuar si një udhëtim emocional që trajton temat e faljes, pajtimit dhe shërimit shoqëror, duke bashkuar rrëfimet e dy vendeve që kanë kaluar nëpër periudha të dhimbshme historike, Kosovës dhe Afrikës së Jugut.
“E kemi parë në proces që krijimi i kësaj shfaqje, puna për këtë shfaqje ka qenë e lodhshme por ka qenë edhe një farë procesi i shërimit për neve për shkak se po flasim për dy virtyte të rëndësishme njerëzore në kontekstin e shfaqjes tonë. Po flasim për mënyrën se qysh në dy anë të globit, në Kosovë edhe në Afrikë të Jugut, përafërsisht në kohë të njëjtë 90-91 në Kosovë dhe në 95 në Afrikë, kanë ndodhur dy lëvizje, dy aksione masive shoqërore të cilat në qendër e kanë pas konceptin e faljes edhe të së vërtetës… Edhe ne nisemi prej këtyre dy virtyteve me pa se qysh kanë ndiku këto dy virtyte në shoqëri”, tha Aurela Kadriu nga Qendra Multimedia në programin e “Mirëmëngjesi RTK”.
Në shfaqje marrin pjesë aktorët shqiptarë Ilire Vinca, Arben Bajraktaraj dhe Ema Andrea, së bashku me aktorët nga Afrika e Jugut Gontse Ntshegang, Kensiwe Tshabalala dhe Les Made.
Regjisorja Blerta Neziraj dhe autori Jeton Neziraj, në bashkëpunim me dramaturgun Greg Homann, sjellin një vepër që lidh dy momente të mëdha të historisë: Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë (1990) dhe Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin në Afrikën e Jugut (1996).
Premiera mbahet më 17 tetor në Gjilan, ndërsa shfaqjet vijuese do të jenë më 18 tetor në të njëjtin teatër, më 22, 23 dhe 24 tetor në Teatrin Oda në Prishtinë, dhe më 29 tetor 2025 në Teatrin “Bekim Fehmiu” të Prizrenit, në kuadër të eventit “Kosovo Theatre Showcase”. /RTK/Katror.info