Teatri prestigjioz La Scala në Milano ka paralajmëruar se spektatorët nuk do të lejohen të hyjnë në sallë nëse paraqiten me pantallona të shkurtra, kanatjere apo shapka. Vendimi vjen pas ankesave të shumka nga publiku për veshje të papërshtatshme gjatë shfaqjeve.
Në hyrje të teatrit është vendosur një njoftim me rregullat e etikës, ku thuhet se spektatorët duhet të “zgjedhin veshje që i përshtaten solemnitetit të teatrit”.
Në të njëjtën linjë, paralajmërimi figuron edhe në biletat dhe në faqen zyrtare të La Scala-s. Ata që nuk respektojnë rregullin nuk do të marrin rimbursim.
Kodi i ri i veshjes u vendos fillimisht në vitin 2015, kur Milano priti Panairin Botëror dhe La Scala qëndroi hapur gjatë verës. Atëherë synohej të shmangeshin rastet e vizitorëve me rroba banje. Deri tani, rregulli nuk ishte zbatuar rreptësisht.
Tani rregullat duhen zbatuar më me vendosmëri, sidomos për shkak të të nxehtit, tha një zëdhënës i teatrit. Disa spektatorë janë ndjerë të bezdisur kur të tjerë visheshin me shapka apo kanotierë.
Ndalimi nuk përfshin gratë që veshin bluza pa mëngë dhe sipas “Corriere della Sera”-s, as japonezët me kimono e sandale tradicionale.
Para 2015-ës, në biletat e La Scala-s rekomandohej “xhaketë dhe kravatë”, por pa detyrim. Sidoqoftë, mbizotëron pritshmëria që spektatorët të jenë të veshur me elegancë.
Kujtesa për kodin e veshjes është pjesë e një rregulloreje më të gjerë të sjelljes në teatër, që ndalon gjithashtu ushqimin, pijet, fotografitë dhe filmimet gjatë shfaqjes. Po ashtu, ndalohet vendosja e telefonit mbi parmakët e lozhave, pas një incidenti ku një celular ra dhe goditi një spektator poshtë. / shqip.al/Katror.info