Neuralink qysh më herët ka marrë “dritën jeshile” nga FDA, kështu që tani mund të fillojë të kërkojë vullnetarë për të marrë pjesë në provat e para klinike të implantit të trurit.
Qëllimi i kompanisë së Elon Musk është të përdorë këtë teknologji për t’u mundësuar njerëzve me një lloj paaftësie të rifitojnë ose të paktën të përmirësojnë funksionet e tyre motorike. Kandidatët e interesuar duhet të regjistrohen pikërisht për këto qëllime, transmeton Livemint.
Neuralink ka vite që punon në projektet e implanteve të trurit dhe amerikanët mbi moshën 18 vjeç, të cilët kanë disa paaftësi fizike, tani mund të marrin pjesë në prova, nëse plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme.
Testimi te njerëzit paraprihet nga testimi në kafshë, kështu që Neuralink ka publikuar në disa raste video që tregojnë se si funksionon. Në njërën prej tyre, një majmun makak luan një lojë video të thjeshtë të kontrolluar nga një implant truri.
Siç tha Musk, qëllimi përfundimtar i Neuralink është që “njerëzimi të arrijë simbiozë me inteligjencën artificiale”. /Katror.info