Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka kërkuar zyrtarisht nga të gjithë ofruesit e shërbimeve të internetit (ISP) që të bllokojnë aksesin në aplikacionin TikTok dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar deri më 13 mars 2025.
Kjo masë vjen pas urdhrit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), i cili në shkresën e tij citon bazën ligjore mbi të cilën kërkohet bllokimi, përfshirë një vendim të Këshillit të Ministrave dhe rregulloret përkatëse. Sipas kërkesës, ISP-të duhet të ndërmarrin bllokimin e IP-ve, DNS-ve, SNI-ve të TikTok si dhe IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin shqiptar.
AKEP ka kërkuar që çdo ofrues i internetit të konfirmojë zbatimin e kësaj mase me shkrim brenda afatit të përcaktuar. Mbetet për t’u parë reagimi i TikTok dhe ndikimi i kësaj mase në përdoruesit shqiptarë./Katror.info