Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” feston sot, më 14 shkurt 2025, 55-vjetorin e themelimit me një sërë aktivitetesh festive që nderojnë historinë dhe kontributin e tij në arsimimin e brezave të rinj, shkuran Katror.info.
Ceremonitë filluan në Sallën e Senatit të Rektoratit, ku u nderuan profesorët që përfundojnë mësimdhënien aktive në universitet. Atyre iu ndanë mirënjohje për kontributin jetësor në edukimin e studentëve dhe zhvillimin e institucionit.
Në kuadër të aktiviteteve përfshihet edhe ceremonia solemne që do të vazhdojë në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, ku do të shfaqet një dokumentar për Universitetin e Prishtinës. Rektori Arben Hajrullahu dhe një nga rektorët e universiteteve partnere të rajonit do t’u drejtohen të pranishmëve. Gjithashtu, UP-ja do të pranojë video-mesazhe urimi nga Universiteti i Luksemburgut dhe Kolegji Akademik Gordon në Izrael.
Universiteti i Prishtinës u themelua më 15 shkurt 1970, pas miratimit të Ligjit mbi Themelimin e Universitetit nga Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës më 18 nëntor 1969. Themelimi i tij përfaqëson një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe për kombin shqiptar në përgjithësi.
Gjatë pesë dekadave të fundit, Universiteti i Prishtinës ka luajtur një rol kyç në arsimimin e mijëra studentëve dhe në zhvillimin e shoqërisë kosovare, duke u bërë një nga institucionet më të rëndësishme arsimore në rajon.
Përvjetori i 55-të shënon një moment reflektimi mbi arritjet e deritanishme dhe një angazhim të ri për të ardhmen, me synimin për të vazhduar përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar./Katror.info